info@hibrid.info
Pretendohet rrejshëm se është vërtetuar që në “Shtëpinë e verdhë” janë kryer transplantime organesh
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Është pretenduar se është vërtetuar se gjatë luftës në Kosovë janë kryer transplantime të organeve të qytetarëve serbë në “Shtëpinë e verdhë” në Shqipëri.

Pretendimi u bë nga Sllavisha Vuksanoviq, anëtar i Bordit Ekzekutiv të “Shoqatës së Familjeve të të Kidnapuarve dhe të Zhdukurve nga Kosova” në një deklaratë për mediumin në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” në një artikull të publikuar më 26 dhjetor.

Çka ka thënë Vuksanoviq?

Duke folur për komisionin për të zhdukurit, për të cilin Kosova e Serbia u dakorduan në Bruksel më 17 dhjetor, Vuksanoviq ka thënë se pret përparim në qartësimin e fatit të të zhdukurve nga viti 1998 deri në fund të 2000-s “jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri”.

“Është vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se ka pasur trafik të organeve njerëzore dhe se të gjitha këto operacione të paligjshme dhe rrëmbime e trafikime u kryen në territorin e Shqipërisë, që s’ishte zyrtarisht pjesëmarrëse në luftë, por ne e dimë që ishte. Familjet kërkojnë që të zgjerohet juridiksioni dhe përveç lokacioneve në Kosovë e Metohi që i kemi pranuar nga Komisioni jonë për Persona të Zhdukur, të përcaktohen edhe lokacionet rreth ‘Shtëpisë së verdhë’ për të përcaktuar se çka ka ndodhur me personat të cilët janë rrëmbyer në mënyrë të paligjshme dhe pas kësaj organet e tyre janë hequr në territor të Shqipërisë”, ka thënë Vuksanoviq.

Hetimet e deritanishme

Fakti se ka ekzistuar “Shtëpia e verdhë” dhe se janë kryer operacione për trafikim të organeve të serbëve, nuk është vërtetuar asnjëherë.

Hetimet e zhvilluara në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” në një fshat afër Burrelit në Shqipërinë Veriore nuk kanë mundur të vërtetojnë pretendimet se në këtë shtëpi janë hequr organe të njerëzve për qëllime tregtie.

Një raport i marsit të vitit 2004 i hartuar nga pesë ekspertë ndërkombëtarë të Tribunalit të Hagës dhe Kombeve të Bashkuara thotë se bazuar në ekzaminimet tona, nuk ka dëshmi bindëse se është derdhur gjak në këtë shtëpi si rezultat i akteve kriminale. (këtu)

“Shtëpia e Verdhë” fillimisht është përfolur në librin e ish-prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare Carla del Ponte, “The Hunt: Me and the War Criminals ”, dhe më pas në raportin e përfaqësuesit të Zvicrës, Dick Marty.

Kujtojmë se pikërisht Gjykata Speciale në Hagë, e njohur edhe si “Dhomat e Specializuara” ishte krijuar me pretendimet e raportit të Dick Martyt për “Shtëpinë e Verdhë” (këtu). Megjithatë, këto pretendime nuk u vërtetuan asnjëherë, dhe në aktakuza nuk ka asnjë element të trafikimit të organeve (këtu).

Mungesa e provave ishte konfirmuar edhe nga shefi i Task Forcës Hetimore të EULEX-it, Clint Williamson, që kishte thënë se nuk është vërtetuar asnjëherë një pretendim i tillë (këtu).


Analiza:

Pretendimet e Sllavisha Vuksanoviqit nga “Shoqata e Familjeve të të Kidnapuarve dhe të Zhdukurve nga Kosova” se është vërtetuar se në “Shtëpinë e verdhë” në Shqipëri ka pasur trafikim organesh të serbëve, nuk janë të bazuara në fakte.

Hetimet e deritanishme nuk kanë vërtetuar një gjë të tillë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e cilëson si “Teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »