Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një postimi pretendohet se qytetari i nacionalitetit serb, i plagosur gjatë një tentim-grabitjeje të armatosur në hapësirat e jashtme të Qendrës Tregtare “Albi Mall” në Veternik më 17 mars, nuk ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, por është vrarë nga mjekët shqiptarë në spital.
Ky pretendim u bë dje (27 mars) nga kanali në gjuhën serbe në Telegram “КОРИДОР” (KORIDORI).
E vërteta rreth kësaj ngjarje?
Me datë 26 mars u raportua në media se ka vdekur në Qendrën Klinike dhe Universitare (QKUK), i dyshuari për tentim-grabitje, e që qe plagosur paraditen e 17 marsit në Veternik. Vdekjen e tij e konfirmoi shefi i Intensivës, Shaqir Uka.
Postimi i kanalit në gjuhën serbe në Telegram “КОРИДОР” (KORIDORI), i përkthyer në shqip:
Sipas informacioneve që kemi, serbi M.V. i cili u plagos në Veternik (Prishtinë) nga terroristët shqiptarë, nuk vdiq nga plagët e marra, por u vra nga mjekët shqiptarë!

Në këtë postim, ky kanal nuk jep asnjë burim informacioni që do ta mbështeste pretendimin e bërë.
Çka thanë nga QKUK-ja?
Lajmin për vdekjen e tij e kishte konfirmuar shefi i Mjekësisë Intenzive në QKUK, Shaqir Uka për Gazetën Express.
“Po, pacienti nuk ka arritë që t’i përballoj plagëve që ka marrë me armë zjarri, pavarësisht tretmanit intensiv kirurgjikal dhe medikamentoz. Ai ka ndërruar jetë pak para orës 21:00”, tha Uka.
Pak kontekst
Më 17 mars ndodhi një tentim-grabitje në hapësirat e jashtme të Qendrës Tregtare “Albi Mall” në Veternik.
Cak kishte qenë një automjet që bartte para, dhe për pasojë u plagosën dy persona, një nga kompania e sigurimit dhe tjetri nga grupi i të dyshuarve për grabitje. (këtu)
Analiza:
Më 27 mars, kanali serb në Telegram “КОРИДОР” (KORIDORI) pretendoi se qytetari serb M.V., i plagosur gjatë një tentim-grabitjeje më 17 mars në Veternik, nuk vdiq nga plagët e marra, por u vra nga mjekët shqiptarë në spital.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim nuk mbështetet nga asnjë fakt. Shefi i Mjekësisë Intensive në QKUK, Shaqir Uka, konfirmoi se pacienti ndërroi jetë më 26 mars për shkak të plagëve nga arma e zjarrit, pavarësisht trajtimit intensiv kirurgjikal dhe medikamentoz.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.