Shkroi: Fatbardh Dema
Një video-material i publikuar në një faqe në Facebook me përbajtje shqip, po pretendon se në një autostradë në Kosovë gjendet shenja e komunikacionit që lejon vozitjen pa limit shpejtësie.
Videoja u publikua në Facebook me datë 19 maj nga faqja që mban emrin “Gazetavip.com”.
Cila është e vërteta rreth këtij pretendimi?
Hibrid.info, pas analizimit të këtij video-materiali, ka vërejtur se në pamje shfaqet një shenjë e komunikacionit, e cila tregon mbarimin e të gjitha ndalesave në rrugë.
Mirëpo, sipas Ligjit të trafikut rrugor në Kosovë, shpejtësia më e madhe e lejuar jashtë zonës urbane në autoustradë është njëqind e tridhjetë (130) km/h.
Vegëza e video-materialit të publikuar në Facebook nga faqja “Gazetavip.com”:
https://www.facebook.com/watch/?mibextid=oFDknk&v=1148904319585837&rdid=xnGfd6vfbnEvIWST

Çka gjetëm?
Pas hulumtimit rreth kësaj shenje të komunikacionit që shfaqet në video-material, hibrid.info ka gjetur të publikuar dokumentin “Shenjat e Trafikut dhe Sinjalizimi Rrugor”, ku sqarohet se e njëjta tregon pikën ku mbarojnë të gjitha ndalesat në rrugë. (shih këtu fq. 153)

Në nenin 56 të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, sqarohet se në Kosovë shpejtësia më e madhe e lejuar jashtë zonës urbane, në autostradë, është 130km/h. (shih këtu fq. 32)

Trajtimi i kësaj përmbajtje nga hibrid.info u bë me arsyen se, videoja e publikuar nga faqja “Gazetavip.com” deri në shkrimin e këtij artikulli, ka arritur të grumbullojë afër 600 mijë shikime, e mbi 600 komente, duke vënë në lajthitje shumë qytetarë.
Analiza:
Faqja në Facebook “Gazetavip.com” ka pretenduar se në një autostradë në Kosovë ekziston shenja e komunikacionit që lejon vozitjen pa limit shpejtësie.
Hibrid.info ka vërtetuar se shenja që shfaqet në video-material tregon vendin ku mbarojnë të gjitha ndalesat në atë rrugë, mirëpo sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor në Kosovë, shpejtësia më e madhe e lejuar në rrugët e Kosovës është 130km/h.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.