Llogaria në TikTok me emrin “lumjanana009” ka publikuar dje (23 prill) një video-material me mbishkrimin “SI PAS GAZETES KOHA 3 SERB JAN VRAR NGA POLICIA NE KUFIRIN AFER LEPOSAVIQI EDHE KA TE PLAGOSUR NGA POLICIA E KOSOVES”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë nga kjo llogari është i rremë.
Një ngjarje e tillë nuk është raportuar nga asnjë medium në Kosovë. Po ashtu në mbishkrimin e bërë është përmendur edhe “Gazeta Koha”, që nga lexuesit mund të kuptohet se i janë referuar portalit koha.net.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “lumjanana009”:
Ky video material deri në publikimin e këtij artikulli ka arritur të grumbullojë afër 35 mijë shikime. (shih fotografinë më poshtë)
Llogaria e lartcekur duket se këtë pretendim të rremë është munduar ta ndërlidhë me procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, të mbajtura dje (23 prill). (shih këtu)
Policia e Kosovës nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook, ka njoftuar se zgjedhjet e mbajtura dje (23 prill) në katër komunat veriore, në aspektin e sigurisë janë vlerësuar të qeta dhe pa asnjë incident. (shih këtu)
Analiza:
Pas verifikimit të fakteve, është vërtetuar se llogaria në TikTok me emrin “lumjanana009” ka publikuar një video-material me pretendim të rremë për vrasjen e tre qytetarëve serbë në Leposaviq nga Policia e Kosovës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.