Media online “KosovaPost.net” ka publikuar një artikull me titull “Pas Danimarkës, edhe Shqipëria iu bën thirrje shtetasve të saj të luftojnë në Ukrainë”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, ku është vërtetuar se titulli është i rremë dhe nuk i përgjigjet përmbajtjes.
Në përmbajtje thuhet se Ambasada e Ukrainës në Shqipëri u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen me legjionin e huaj të krijuar për të luftuar kundër rusëve.
Pra, nuk është e vërtetë se shteti shqiptar ka bërë thirrje shtetasve të tij që të luftojnë në Ukrainë, siç pretendohet rrejshëm në titullin e këtij artikulli.
Pjesë nga artikulli i publikuar në “KosovaPost.net”:
Menjëherë pas nisjes së tentimeve për pushtimin e Ukrainës nga forcat ushtarake ruse nisi një rezistencë e hatashme e ukrainasëve, gjë që bëri shtetin e Danimarkës për t’i lejuar shtetasit e saj që të shkojnë të luftojnë në Ukrainë, përcjell KosovaPost.
E, një vendim të njëjtë e ka marrur edhe Ambasada e Ukrainës në Shqipëri u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen me legjionin e huaj të krijuar për të luftuar kundër rusëve.
Vegëza e artikullit të publikuar në “KosovaPost.net”:
Hibrid.info ka gjetur njoftimin e Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri të postuar në profilin zyrtar në Facebook. (shih këtu)
“Vullnetarët që dëshirojnë të bashkohen me Legjionin Ndërkombëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, ju lutem dergoni një në e-mail në adresën e mëposhtme: DobrotvorUA@gmail.com”, thuhet në postimin e kësaj ambasade.
Analiza:
Media online “KosovaPost.net” ka publikuar këtë njoftim të kësaj ambasade lidhur me vullnetarët shtetas të Shqipërisë të cilët dëshirojnë të bashkohen me Legjionin Ndërkombëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës.
Por, këtij artikulli i është vënë titull i sajuar me pretendimin se Shqipëria ka bërë thirrje shtetasve të saj që të luftojnë në Ukrainë.
Pas analizës së kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.