[email protected]
Publikohet artikull i paverifikuar për pretendimin se dy portale në Kosovë janë në shërbim të regjimit serb
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Radio Televizioni i Kosovës (RTK), edicioni online, ka publikuar një artikull dje (22 korrik), duke iu referuar mediumit nga Bosnja e Hercegovina, “Slobodna-Bosna.ba”, me pretendimin e pa verifikuar se dy portale (mediume) informative të regjistruara në Kosovë, saktësisht “Periskopi.com” dhe “Nacionale.com”, janë të financuara nga struktura të Serbisë.

Ky pretendim është bërë në kuadër të një artikulli që pretendon të shtjellojë qëllime të presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së rëndësishme me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për gërmime të litiumit në Serbi.

Pretendimi është bërë duke u thirr në informacione të paverifikuara të mediumit nga BeH, “Slobodna Bosna”.

Ky pretendim i publikuar në faqen “rtklive.com” është transmetuar edhe në kuadër të një kronike në edicionin qendror të lajmeve në RTK (22 korrik, shih këtu), por duke mos i përmendur mediumet në fjalë me emër, dhe duke mos ofruar informata që verifikojnë e konfirmojnë informacionin e publikuar.

Si u publikua artikulli në rtklive.com:

Në versionin e parë të artikullit të publikuar në rtklive.com përmenden portalet informative periskopi.com, i cili thuhet se është në kontroll të drejtpërdrejtë të Millan Radoiçiqit, dhe nacionale.com, si përfituese e një transaksioni milionësh dhe i cili është vënë në dispozicion të regjimit të Vuçiqit.


Në ndërkohë, pjesa e artikullit të rtklive.com ku përmenden portalet informative të Kosovës është ndryshuar duke i larguar emrat e tyre nga teksti dhe duke iu referuar të njëjtave vetëm si “portale”.

“Slobodna Bosna” shkruan se “pas ‘aksioneve’ në Malin e Zi, radha ka ardhur për sulmin mediatik në Kosovë. Sipas kësaj gazete pretendohet se një portal në Kosovë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radojçiq, ndërsa një portal tjetër ka pranuar transaksion milionësh, me qëllim të publikimit të shkrimeve kritike për qeverinë e Albin Kurtit”. (këtu)

Çka shkroi Slobodna Bosna?

Mediumi nga BeH, “slobodna-bosna.ba”, ka publikuar një artikull dje (22 korrik) rreth synimeve të presidentit serb Alleksandar Vuçiq, para dhe pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme me kancelarin gjerman Olaf Scholz, dhe ka të bëjë me minierat e litiumit.

Kjo media, brenda artikullit, në një pjesë (box) të veçantë, shkroi duke pretenduar se kanë mësuar nga bashkëbisedues nga Kosova se portalet kosovare, “Periskopi” dhe “Nacionale” janë në shërbim të regjimit serb. (këtu)

Pjesë të artikullit të Slobodna Bosna, e përkthyer në shqip:

Siç mëson “Slobodna Bosna”, regjimi i Vuçiqit, pas Malit të Zi dhe Kosovës, është në ekspansion kur bëhet fjalë për “gllabërimin” e mediave të papërshtatshme në rajon.

Domethënë, pas “aksioneve” në Mal të Zi, radha e sulmit mediatik i ka ardhë Kosovës, ku siç kanë zbuluar bashkëbiseduesit tanë nga ai vend, i pari radhitet portali Periskopi, i cili është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radojçiq , dhe së fundi u përfundua edhe transaksioni miliona dollarësh i Nacionales, e cila u vu në dispozicion të regjimit të Vuçiqit me tekste kritike për qeverinë e Albin Kurtit dhe shkaktoi zemërim te shqiptarët e Kosovës.


Megjithatë, sikurse mediumi boshnjak që thirret në informacione të burimeve të cilave nuk ua zbulon identitetin, ashtu edhe RTK, në artikujt e tyre, nuk e kanë të përfshirë palën e cila apostrofohet, mediumet “Periskopi.com” dhe “Nacionale.com” dhe asnjë palë tjetër që mund ta verifikojë informacionin.

Për më tepër, ky medium boshnjak (Slobodna Bosna), të cilit i referohet RTK-ja, zë vend në listën e mediave që janë trajtuar disa herë nga kontrolluesit e fakteve nga Bosnja dhe Hercegovina, “Raskrinkavanje.ba” (anëtare në IFCN dhe EFCSN) për shpërndarje të përmbajtjeve të pasakta. (këtu)

Analiza:

RTK ka publikuar dhe transmetuar informacion me përmbajtje e cila është e pavërtetuar dhe e paverifikuar. Pretendimi i bërë në përmbajtje i referohet një mediumi nga Bosnja e Hercegovina, që nuk e ka të verifikuar informacionin që pretendon se e ka nga disa burime anonime.

RTK e publikon këtë informatë duke mos kontaktuar palët e apostrofuara, në këtë rast dy mediat Periskopi.com dhe Nacionale.com, por as edhe ndonjë palë tjetër, që do të mund të verifikonte pretendimin.

Pas kontrollit të pretendimit, trajtimit dhe analizës së fakteve, në bazë të metodologjisë së Hibrid.info, një artikull me pretendim të tillë vlerësohet si “Përmbajtje e paverifikuar”. 

Arsyetimi:

Vlerësimi “I paverifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »