Një gazetë italiane ka thënë se është e para në botë që publikon një edicion tërësisht të prodhuar nga inteligjenca artificiale.
Nisma e “Il Foglio”, një e përditshme liberale konservatore, është pjesë e një eksperimenti gazetaresk njëmujor që synon të tregojë ndikimin që teknologjia IA ka “në mënyrën tonë të punës dhe ditët tona”, tha redaktori i gazetës, Claudio Cerasa.
Gazeta “Il Foglio AI” me katër faqe është bashkëngjitur në botimin tradicional të gazetës dhe është e disponueshme në stendat e gazetave dhe në internet nga e marta (18 mars).
“Do të jetë gazeta e parë e përditshme në botë në stendat e gazetave e krijuar tërësisht duke përdorur inteligjencën artificiale”, tha Cerasa. “Për gjithçka. Për shkrimet, titujt, citimet, përmbledhjet. Dhe, ndonjëherë, edhe për ironi”. Ai shtoi se rolet e gazetarëve do të kufizohen në “bërjen e pyetjeve [në një mjet IA] dhe në leximin e përgjigjeve”.
Eksperimenti vjen ndërsa organizatat e lajmeve në mbarë botën po përballen me mënyrën se si duhet të përdoret IA. Në fillim të këtij muaji, e përditshmja britanike “Guardian” raportoi se “BBC News” do të përdorte IA për t’i dhënë publikut përmbajtje më të personalizuar.
Faqja e parë e edicionit të parë të “Il Foglio AI” paraqet një histori që i referohet presidentit të ShBA-së, Donald Trump, që përshkruan “paradoksin e Trumpianëve italianë” dhe se si ata kundërshtojnë “kulturën e anulimit”, por ose mbyllin një sy, ose më keq, “festojnë” kur “idoli i tyre në ShBA sillet si despot i një republike banane”.
Faqja e parë përmban gjithashtu një rubrikë me titull “Putin, 10 tradhtitë”, me artikullin që thekson “20 vjet premtime të thyera, marrëveshje të prishura dhe fjalë të tradhtuara” nga Vladimir Putini, presidenti rus.
Në një histori të rrallë optimiste për ekonominë italiane, një artikull tjetër tregon raportin e fundit nga “Istat”, agjencia kombëtare e statistikave, mbi rishpërndarjen e të ardhurave, i cili tregon se vendi “po ndryshon dhe jo për keq” me rritjen e pagave për rreth 750,000 punëtorë që janë ndër efektet pozitive të reformave të tatimit mbi të ardhurat.
Në faqen 2 është një histori për “situata” dhe se si të rinjtë evropianë po ikin nga marrëdhëniet e qëndrueshme.
Artikujt ishin të strukturuar, të drejtpërdrejtë dhe të qartë, pa gabime të dukshme gramatikore, shkruan “Guardian”.
Megjithatë, asnjë nga artikujt e publikuar në faqet e lajmeve nuk citon drejtpërdrejt ndonjë qenie njerëzore.
Faqja e fundit jep letra të gjeneruara nga IA nga lexuesit për redaktorin, me njërin që pyet nëse IA do t’i bëjë njerëzit “të padobishëm” në të ardhmen. “Inteligjenca Artificiale është një risi e madhe, por ajo ende nuk di të porosisë një kafe pa e ngatërruar sheqerin”, thuhet në përgjigjen e gjeneruar nga IA.
Cerasa tha se “Il Foglio AI” pasqyronte “një gazetë të vërtetë” dhe ishte produkt i “lajmeve, debateve dhe provokimeve”. Por ishte gjithashtu një terren testimi për të treguar se si IA mund të funksiononte “në praktikë”, tha ai, ndërsa pa se çfarë ndikimi do të kishte në prodhimin e një gazete të përditshme me teknologjinë dhe pyetjet “që ne jemi të detyruar t’i bëjmë vetes, jo vetëm nga natyra gazetareske”.
“Është thjesht një tjetër [Il] Foglio e bërë me inteligjencë, mos e quani artificiale”, tha Cerasa.
Shkrimi është publikuar në të përditshmen britanike “The Guardian”, dhe është përkthyer e përshtatur nga stafi i Hibrid.info