info@hibrid.info
Publikohet lajm i vjetër me fotografi të një ngjarje tjetër
shape
shape
shape

Disa faqe në Facebook kanë publikuar dje (26 janar) artikullin me titull “Automjetet e FSK-së shihen rrugëve të Ferizajt, flet Ministria e Mbrojtjes”, të marrë nga portali i dyshimtë “gazetaylli.com”.

Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në këtë artikull, ku është vërtetuar se lajmi është i vjetër, i publikuar në muajin nëntor 2022.

Përveç që ky lajm është i vjetër, artikulli i publikuar nga faqet e lartcekura përmban edhe fotografi jo adekuate, pra që nuk korrespondon me përmbajtjen.

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin autentik të publikuar në kohë reale me 7 nëntor (2022) nga portali “GazetaExpress.com”.

Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet lajmi i asaj kohe, kur në fshatin Dardani të Ferizajt ishin parë duke lëvizur disa automjete të blinduara të FSK-së, por që këshilltari ushtarak i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, Hamdi Pollomi në një përgjigje për Gazetën Express ishte shprehur se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.

Pra, ky lajm i vjetër është munduar të paraqitet si aktual duke u publikuar në Facebook nga faqet “Feja Ime”, “Exclusive Albania Today” dhe “Shqipet”. (shih këtu, këtu dhe këtu)


Artikullin autentik të publikuar në kohë reale (7 nëntor 2022) nga portali “GazetaExpress.com” mund ta gjeni këtu.


Në imazhin e përdorur në këtë artikull nuk shfaqen automjetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), por një automjet i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si dhe një pjesëtar i saj.

Pas verifikimit të fakteve të bërë përmes programit të automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka arritur të gjejë fotografinë autentike të publikuar nga portali “Reporteri.net”, e cila i takon artikullit të datës 20 shtator 2021, rreth lajmit kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ndodhej në pikat kufitare në veri për të monitoruar situatën, pasi nga ajo ditë nuk lejohej qarkullimi i veturave me targa KS. (shih këtu)


Analiza:

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër (nëntor 2022) në lidhje me disa automjete të FSK-së, të cilat ishin parë dukë qarkulluar rrugëve të Ferizajt.

Këtë artikull të vjetër, këto faqe janë munduar ta paraqesin si aktual, të cilat e kanë postuar dje me datë 26 janar.

Gjithashtu, edhe pse bëhet për automjete të FSK-së, në fotografin e përdorur nuk shihen automjetet e FSK-së, por një automjet i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si dhe një pjesëtar i saj, e që ky imazh i takon një ngjarjeje tjetër.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull të publikuar nga këto faqe si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »