Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “truenewsq.com” ka publikuar të martën (31 janar) një shpallje të rreme për shitjen e një banese me çmim jo real.
Ky artikull mbanë titullin “URGJ.ENT: Shitet banesa tre dhomëshe e mobiluar për 30,000 euro në qendër”, duke pretenduar ta paraqesin si një shpallje për shitje të një apartamenti.
Ndërsa, vërtetohet se fotografia paraqet një apartament në Greqi, i marrë nga një shpallje e gjetur në “Booking.com”.
Gjithashtu, kjo shpallje përmban edhe përshkrim të sajuar të banesës.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “truenewsq.com”:
Pas verifikimit të fakteve të bërë përmes programit të automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se fotografia i përket një apartamenti në Greqi, që lëshohet me qira, e cila është gjetur në platformën online “Booking.com”.
Ndërsa, publikuesi i shpalljes në gjuhën shqipe “truenewsq.com” pretendon ta paraqes si një shpallje aktuale.
Kjo shpallje e rreme është shpërndarë edhe në median sociale Facebook nga faqet “Shqiperia Etnike”, “Lajme Reale 1”, “Shqiptaret Në Evropë” dhe “Gazeta unike.al”.
Mirëpo, në hulumtimin e detajuar hibrid.info ka gjetur se imazhi i përdorur në këtë shpallje paraqet imazhin e një apartamenti nga, saktësisht, qyteti grek Kavala, që lëshohet me qira përmes platformës online “Booking.com”. (shih këtu)


Analiza:
Portali i dyshimtë “truenewsq.com” ka publikuar një shpallje të rreme për shitjen e një banese me çmim dhe përmbajtje të rreme.
Gjithashtu, edhe imazhi i përdorur në këtë artikull i përket një apartamenti në Greqi, që lëshohet me qira përmes platformës online “Booking.com”.
Pas analizës së kontrollit të fakteve, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Mashtrim”.