Portali i dyshimtë me përmbajtjen në gjuhën shqipe “Banglarreporter.com” sot (24 janar) ka publikuar një artikull me titull “Rakiq:Albin Kurti po bën koalicion me “vëllezërit” e tij serbë!”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, ku është vërtetuar se titulli është i rremë, ndërsa në përmbajtje gjendet lajm i vjetër, i publikuar më 11 shkurt të vitit 2021.
Lajmi i vendosur në përmbajtje të artikullit tregon për një deklaratë të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili atëkohë (para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021) kishte deklaruar se disa parti serbe po hynë në koalicion me Albin Kurtin “pa asnjë turp”.
Pra, nuk është i vërtetë se Rakiq, siç pretendohet, ka thënë që “Kurti po bën koalicion me ‘vëllezërit’”.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “Banglarreporter.com”:
I njëjti artikull me titull të rremë është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja me emër “Gazeta Aktive”, e cila në këtë postim ka arritur të grumbullojë reagime e komente të shumta. (shih këtu)
Hibrid.info pas hulumtimit të kryer përmes makinave të kërkimit, ka arritur të gjejë artikullin e publikuar për herë të parë (11 shkurt 2021) nga portali “Insajderi.com”, i cili përmban titullin e saktë “RAKIQ: DISA SERBË PA FIJE TURPI PO HYJNË NË KOALICON ME ALBIN KURTIN” (shih këtu).
Analiza:
Portali i dyshimtë “Banglarreporter.com” ka publikuar një artikull të vjetër të datës 11 shkurt 2021 nga portali “Insajderi.com”, të cilin e ka postuar sot (24 janar) duke i vënë titull të rremë me pretendimin ta paraqesë atë si aktual.
Pas analizës së kontrollit të fakteve të kryer nga Hibrid.info, ky artikull merr vlerësimin si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.