info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Dezinformata në media serbisht për vjedhje të votave të serbëve, mesazhe të rreme dhe mashtruese në media sociale
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Lajmet e rreme dhe dezinformatat ishin format kryesore të keqinformimit që dominuan javën e kaluar.

Gjatë javës së kaluar, disa lajme të rreme u përhapën në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook, duke synuar të dezinformojnë publikun. Një prej tyre ishte pretendimi se Ibrahim Gacaferi, babai i kandidatit për deputet Luan Gacaferi, shihet në një foto me Josip Broz Titon, një pohim i pavërtetë i publikuar nga faqet “Universal” dhe “Plus Media” dhe i shpërndarë në grupin “Diaspora me PDK”. Një tjetër dezinformatë lidhej me një imazh të barnave Paracetamol P-500, ku sugjerohej se ato përmbanin virusin Machupo, një pretendim i rremë i shpërndarë nga faqja “Kosova Channel”. Po ashtu, një postim në Facebook pretendonte se kandidati i PDK-së, Ragip Xhaka, kishte marrë vetëm 34 vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërsa verifikimi faktoi se ai kishte mbi 14 mijë vota.

Gjatë javës së kaluar, disa dezinformata u përhapën në rrjetet sociale dhe media serbe, duke krijuar perceptime të gabuara mbi zhvillimet politike dhe zgjedhore. Një prej tyre ishte një imazh i Aleksandar Vuçiqit me pretendimin se ai po këmbëngulte për një koalicion të partive opozitare në Kosovë, përveç LVV-së, një pretendim i pavërtetë i publikuar në TikTok nga llogaria “shqiptariks”. Një tjetër dezinformatë lidhej me një imazh të Hashim Thaçit, ku pretendohej se ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Megjithëse Thaçi mungoi në një seancë gjyqësore për arsye shëndetësore, nuk ka të dhëna që ai po “lufton për jetën”, siç pretendohej në TikTok nga llogaria “pogra..2”. Ndërkohë, mediumi serb Alo.rs publikoi një artikull ku akuzonte KQZ-në për vonesa të qëllimshme në publikimin e rezultateve të zgjedhjeve, duke pretenduar vjedhje të votave të serbëve në Kosovë. Megjithatë, verifikimi i fakteve tregoi se nuk ka prova për një manipulim të tillë dhe se KQZ-ja ka arsyetuar vonesën përmes procedurave të zakonshme të numërimit.

Mashtrim u vlerësua një mesazh i dërguar përmes WhatsApp-it pretendon të vijë nga Facebook/META, duke paralajmëruar mbylljen e llogarisë për shkelje të standardeve dhe kërkon klikim në një vegëz. Hibrid.info konfirmoi se ky mesazh është i rremë dhe nuk lidhet me Facebook/META.

Clickbait/Dezinformatë u vlerësua një artikull i publikuar nga “periskopi.com” më 19 shkurt pretendon se Prokuroria ka konfirmuar që pajisja përgjuese e gjetur në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi është e AKI-së. Megjithatë, verifikimi nga hibrid.info zbuloi se ky pretendim buron nga gazetari Lirim Mehmetaj dhe nuk është konfirmuar nga Prokuroria, duke e bërë këtë një rast të clickbait-it dhe dezinformatës.

Përmbajtjet e pa verifikuara u shpërndanë në media dhe rrjetet sociale. Një prej tyre pretendonte se shqiptari nga Shkupi, Abdul Jashari, i cili luftoi në Siri, është bërë ministër atje – një pretendim i publikuar nga “Gazetaexpress.com” dhe “ATV Live”, por faktet tregojnë se ai është graduar si kolonel, jo ministër. Po ashtu, një artikull sugjeronte se nëse deputetët e Nismës Socialdemokrate marrin poste qeveritare, ulëset e tyre do t’u kalonin kandidatëve të AAK-së. Ky pretendim, i bazuar në një postim të Bekim Salihut, është i pasaktë, pasi vendin e Fatmir Limajt do ta zinte kandidati i Nismës, Vesel Krasniqi.

Mashtrim

Një mesazh që pretendohet se vjen nga platforma Facebook/META, u është dërguar qytetarëve nga Kosova, ku i njofton për mbylljen e llogarisë në këtë rrjet social. Përmes këtij mesazhi, të  shkruar në gjuhën shqipe, e të dërguar në aplikacionin për komunikim “ËhatsApp”, pretendohet se përdoruesi ka shkelur standardet e komunitetit të Facebook, dhe i bëhet thirrje të klikojë në një vegëz për të kontrolluar informacionin e llogarisë. Në të kundërtën thuhet se brenda 12 orëve do t’i çaktivizohet llogaria në këtë media sociale. Hibrid.info ka gjetur se ky mesazh nuk është i besueshëm. (këtu)

Dezinformatë

Është publikuar një imazh që shfaq Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë, me një mbishkrim që pretendon se ai po këmbëngul për një koalicion mes partive opozitare në Kosovë, së bashku me Listën Serbe (LS), por pa Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Kjo përmbajtje u publikua gjashtë ditë më parë në TikTok nga një llogari me emrin “shqiptariks”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka deklarata publike të presidentit Vuçiq, ku ai të jetë shprehur në favor të ndonjë koalicioni të caktuar në Kosovë. (këtu)

Publikohet një imazh ku shfaqet portreti i Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës, me mbishkrimin që pretendon se ai po lufton për jetën për shkak të problemeve shëndetësore. Kjo përmbajtje është publikuar (18 shkurt) në TikTok nga një llogari me emrin “pogra..2”. Në bazë të raportimeve në media, Hibrid.info ka mësuar se Thaçi vërtet nuk ka marrë pjesë (18 shkurt) në seancë gjykimi për shkak të problemeve shëndetësore. Kjo, sipas këtyre raportimeve, është konfirmuar nga Zyra për Informim e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe Alo.rs ka publikuar një artikull me titull “Albanska krađa srpskih glasova: CIK u Prištini već 10 dana ne unosi rezultate izbora” (“Vjedhja shqiptare e votave serbe: KQZ në Prishtinë nuk i përfshin rezultatet e zgjedhjeve as pas 10 ditësh”), ku pretendohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë vonoi qëllimisht numërimin dhe publikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Sipas titullit të artikullit, edhe pas dhjetë ditësh nga mbajtja e votimeve, procesi ende nuk ka përfunduar, duke ngritur pretendime për përpjekje për të vjedhur votat e serbëve në Kosovë. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se mediumi serb nuk ofron fakte lidhur me pretendimin për vjedhje të votave të subjekteve politike serbe, ndërsa KQZ-ja ka arsyetuar vonesën në numërimin e votave dhe ka siguruar se integriteti i votës nuk është i cenuar. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një fotografie në të cilën shihet presidenti i Jugosllavisë i viteve 1953-1980, Josip Broz Tito me disa persona, pretendohet se njëri nga ta është Ibrahim Gacaferi, babai i kandidatit për deputet nga koalicioni LVV-Lista Guxo-Alternativa, Luan Gacaferi. Ky pretendim u publikua në Facebook nga faqet “Universal” dhe “Plus Media”, e më pas u shpërnda edhe në një grup që mban emrin “Diaspora me PDK”. Por, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. (këtu)

Publikohet një imazh ku shfaqen barna të llojit Paracetamol P-500, mbishkrimin e së cilës sugjerohet se këto tableta nuk duhet përdorur, pasi pretendohet se përmbajnë virusin Machupo. Përmbajtja është gjetur e publikuar (12 janar) në një faqe në Facebook, me emrin “Kosova Channel”. Hibrid.info ka gjetur se barnat në fjalë nuk shiten në vendin tonë dhe nuk përmbajnë virusin, të cilin pretendohet. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar se kandidati i PDK-së për deputet, Ragip Xhaka, i ka marrë “vetëm 34 vota” në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Por e vërteta është se nga procesimi i rreth 96 për qind të të dhënave nga qendrat komunale të numërimit, ai ka marrë mbi 14 mijë vota. Publikimi fillimisht u bë në një grup e më pas u shpërnda në faqe në Facebook. (këtu)

Clickbait/Dezinformatë

Publikohet një artikull i titulluar, “Prokuroria e konfirmon se pajisja përgjuese që u gjet në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi është e AKI-së”. Ky artikull (i arkivuar) është publikuar (19 shkurt) nga mediumi “periskopi.com”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi për konfirmimin e këtij lajmi nga prokuroria, ka ardhur nga Lirim Mehmetaj, gazetar, gjë e cila nuk tregohet në titullin e këtij artikulli.  (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Është pretenduar nëpërmjet publikimeve se shqiptari nga Shkupi, Abdul Jashari, i cili luftoi në luftën civile të Sirisë, ka arritur të bëhet ministër atje. Ky pretendim u publikua më 17 shkurt në portalin informativ “Gazetaexpress.com” dhe ATV Live në faqen në Facebook. Megjithatë, faktet e njohura tregojnë se ai është graduar si kolonel dhe jo si ministër. (këtu)

Nëpërmjet një artikulli është pretenduar se deputetët e Nismës Socialdemokrate brenda koalicionit me AAK-në, nëse do të merrnin poste qeveritare, ulëset e tyre do të ziheshin nga kandidatë të AAK-së. Por ky pretendim, që u bazua në një postim në Facebook të Bekim Salihut, është i pasaktë. Nëse Fatmir Limaj i Nismës merr post qeveritar të supozuar, vendin e tij do ta zinte kandidati i Nismës, Vesel Krasniqi, dhe jo ndonjë i AAK-së. (këtu)

Share With Others

Translate »