Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës që shkoi lajmet e rreme janë ato që e dominuan ekosferën keqinformuese.
Lajmet e rreme janë publikuar në TikTok me disa pretendime të pabazuara lidhur me tema politike dhe sociale në Kosovë. Një llogari e quajtur “mentor.g.me” pretendon të ketë publikuar rezultate të një sondazhi për partitë politike para zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Partia Demokratike e Kosovës (PDK) udhëheq me 38%. Një tjetër postim nga llogaria “_albinkurti” pretendon se opozita ka çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e vendosjes së flamurit në institucionet e veriut, por ky pretendim është i paqëndrueshëm. Një tjetër profil, “arsimtoverlani”, deklaron se nga janari mund të doganohen vetura deri në 20 vjet të vjetra, por hibrid.info ka vërtetuar se ligji lejon vetëm ato deri në 10 vjet.
Një manipulim i fakteve është publikuar në Facebook nga llogaria “Investiguesi Shkrimor”, ku pretendohet se SHBA po përgatiten të pranojnë kushtet e Rusisë për përfundimin e luftës në Ukrainë, bazuar në një publikim nga “Bloomberg” (21 tetor). Sipas hibrid.info, ky pretendim mbështetet në një opinion të publikuar në “Bloomberg”, i cili nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të mediumit.
Një dezinformatë/clickbait është publikuar në kanalin zyrtar të “NTV Televizion” në YouTube më 22 tetor, me titullin “KOSOVA HYN NË KIE”, duke pretenduar se Kosova është anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Pas verifikimit, hibrid.info zbuloi se materiali përmban kronika të përgjithshme lidhur me Kosovën, por nuk ofron ndonjë fakt që vërteton anëtarësimin e saj në KiE, duke e paraqitur kështu informacionin si të rremë dhe mashtrues.
Disa tituj clickbait janë publikuar nga media dhe faqe në gjuhën shqipe, duke keqinformuar për vendndodhjen e ngjarjeve. Më 22 tetor, “kosova-sot.info” publikoi lajmin “Regjistrohet rasti i parë me variantin e ri të lisë së majmunëve”, por vetëm brenda artikullit saktësohet se rasti është në Gjermani. Po ashtu, më 25 tetor në disa faqe të Facebook-ut qarkulloi lajmi për tërheqjen e produkteve të Coca Cola-s nga tregu, duke lënë të kuptohet se ndodhia ka ndodhur në vendet shqipfolëse, ndërsa në fakt tërheqja e produkteve është bërë në Austri.
Një clickbait/dezinformatë është publikuar në Facebook nga faqja “NTV Televizion” më 22 tetor, me titullin “shkëmbehen territoret/ Kosova dhe Serbia gjejnë një zgjidhje”. Megjithatë, përmbajtja e videos nuk përmban asnjë informacion për një marrëveshje apo shkëmbim territoresh. Sipas verifikimit nga hibrid.info, videoja është një përmbledhje kronikash lidhur me Kosovën, pa asnjë fakt që mbështet pretendimet e titullit.
Disa dezinformata u publikuan më 24 dhe 25 tetor në platforma të ndryshme. Një video në TikTok, nga llogaria “lajmifundit3”, pretendon të tregojë një kundërpërgjigje të ish-presidentit Hashim Thaçi ndaj dëshmisë së Fadil Gecit, por hibrid.info ka konfirmuar se një kundërpërgjigje e tillë nuk është bërë. Po ashtu, një artikull nga “NTV Televizion” me titull “E PAPRITUR/ Kurti do përballje me Vuçiçin… do të ishte e rëndësishme në prag të zgjedhjeve”, lë të kuptohet se bëhet fjalë për një deklaratë të Kurtit, por në fakt paraqet një mendim të Milan Niç nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, gjë që nuk përmendet në titull.
Manipulim i fakteve
Publikohet një përmbajtje që pretendon se sipas kompanisë mediatike, “Bloomberg”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) “po përgatiten të tradhtojnë Ukrainën dhe të pranojnë kushtet e Rusisë duke përfunduar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës”. Ky pretendim është dhënë me anë të një statusi të publikuar (21 tetor) nga një llogari me emrin “Investiguesi Shkrimor”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi është bazuar në një opinion të publikuar në “Bloomberg”, në të cilin nuk reflektohet qëndrimi i mediumit ku është publikuar. (këtu)
Lajm i rremë
Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar për sondazh të kryer lidhur me partitë politike në Kosovë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. “Referndumi popullit sondazhi funditë” është mbishkrimi i vendosur mbi një imazh që rendit katër partitë aktuale parlamentare në një listë që pretendohet të jetë me rezultatet e sondazhit. Publikimi u bë nga llogaria me emrin “mentor.g.me” në TikTok, të hënën (21 tetor). Në fotografi, që pretendohet të jenë rezultatet e një sondazhi, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) del të jetë e para me 38 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 22 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 15 për qind dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 10 për qind. Hibrid.info ka përdorur makinën online të kërkimit “google.com” për të hulumtuar për sondazhin e pretenduar. Pas përdorimit të fjalëve kyçe “sondazhi i fundit për zgjedhjet në Kosovë” dhe “PDK 38%, LDK 22%, AAK 15% dhe LVV 10%” nuk janë shfaqur rezultate të bazuara në mediume kredibile a organizata që merren me sondazhe. (këtu)
Një pretendim është publikuar në një profil në TikTok me titullin “Lajmi i fundit: Opozita dergon ne kushtetuese vendosjen e flamurit”. Ndonëse nuk është specifikuar, në bazë të imazhit të përdorur në këtë pretendim, lihet të kuptohet se bëhet fjalë për vendosjen e flamurit në objektet e institucioneve të Kosovës në veri të vendit. Ky pretendim është publikuar (9 shtator) me anë të një imazhi në TikTok, nga një llogari me emrin “_albinkurti”. Gjetjet e hibrid.info tregojnë se në fakt opozita në vendin tonë nuk ka dërguar një çështje të tillë në Kushtetuese. (këtu)
Publikohet pretendimi se nga 1 janari, do të mund të doganohen veturat e vjetra deri në 20 vjet. Pretendimi ka ardhur me anë të një mbishkrimi në një imazh (këtu), të publikuar në TikTok nga një llogari me emrin “arsimtoverlani”. Hibrid.info ka gjetur se ligji në fuqi nuk e lejon importimin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet. (këtu)
Dezinformatë/Clickbait
Është publikuar një video-material në kopertinën e të cilit është vendosur mbishkrimi “KOSOVA HYN NË KIE”. Videoja me pretendimin se Kosova është anëtarësuar në Këshillin e Evropës (KiE), është publikuar (22 tetor) në kanalin zyrtar të mediumit në gjuhën shqipe “NTV Televizion”, në Youtube. Kërkimet e hibrid.info nuk kanë gjetur fakte që konfirmojnë pretendimin. Duke qenë se pretendimi është shkruar në kohën e tashme të mënyrës dëftore (shih këtu), hibrid.info vlerëson se informata është publikuar si fakt i vërtetë. Pas verifikimit të përmbajtjes, është gjetur se video-materiali përmban disa kronika televizive me lajme dhe ngjarje që lidhen me Kosovën, por që në asnjërën prej tyre nuk paraqitet ndonjë njoftim që tregon se Kosova ka hyrë në KiE. (këtu)
Clickbait
Publikohet një artikull i titulluar “Regjistrohet rasti i parë me variantin e ri të lisë së majmunëve”. Lajmi (këtu) është publikuar (22 tetor) nga mediumi në gjuhën shqipe “kosova-sot.info”. Vendndodhja e lajmit bëhet e ditur vetëm në hyrje të artikullit kur thuhet se “Rasti i parë i variantit të ri të lisë së majmunëve është regjistruar në Gjermani…”. (këtu)
Nëpërmjet disa artikujve është raportuar për tërheqjen nga tregu të një pjese të mallit të kompanisë së njohur të pijeve “Coca Cola”. “Coca Cola heq mallin nga tregu, lajm i keq per ju qe e keni pire keto dite,u ja cfare u gjet brenda” është mbishkrimi i vendosur në një fotografi me shishe të Coca Colas, e që është publikuar në disa faqe në Facebook më 25 tetor. Hibrid.info ka verifikuar artikujt që kanë publikuar këto faqe në Facebook dhe ka gjetur se aty theksohet që kompania Coca Cola HBC Austria ka njoftuar për tërheqje të një sasie të shisheve nga tregu në Austri. Por për shkak se vendi nuk tregohet në përmbajtjen e publikuar në Facebook, dhe se publikimi është bërë nga faqe me përmbajtje në gjuhën shqipe, mund të lihet hapësirë për keqinformim se mos ka ndodhur ngjarja në vendet shqipfolëse. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Nëpërmjet titullit të një videoje të publikuar në Facebook, është pretenduar se “shkëmbehen territoret/ Kosova dhe Serbia gjejnë një zgjidhje”. Publikimi u bë më 22 tetor nga faqja “NTV Televizion” në Facebook. Titulli nuk përkon me përmbajtjen e materialit. Pas verifikimit të përmbajtjes, është gjetur se video-materiali gati 8-minutësh përmban disa kronika televizive me lajme dhe ngjarje që lidhen me Kosovën, por që në asnjërën prej tyre nuk paraqitet ndonjë njoftim që tregon shkëmbime territoresh apo se Kosova e Serbia kanë gjetur zgjidhje. Po ashtu kërkimet e hibrid.info në motorin online të kërkimeve “google” nuk kanë gjetur fakte që konfirmojnë pretendimet në titullin e “NTV Televizion”. (këtu)
Dezinformatë
Është publikuar një video-material, në të cilin shfaqet një pjesë nga një fjalim i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që gjendet në paraburgim në Hagë, e për të cilin fjalim pretendohet se paraqet kundërpërgjigje ndaj dëshmisë së dëshmitarit, Fadil Gecit. Kjo përmbajtje është gjetur e publikuar në TikTok nga një llogari me emrin “lajmifundit3”, e cila e ka postuar (24 tetor), këtë video. Hibrid.info ka gjetur se pas dëshmisë së dëshmitarit Geci, nuk ka pasur kundërpërgjigje nga ish-presidenti Thaçi. (këtu)
Publikohet një artikull me titull “E PAPRITUR/ Kurti do përballje me Vuçiçin… do të ishte e rëndësishme në prag të zgjedhjeve”. Kjo përmbajtje që shfaq imazhin e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, është publikuar sot (25 tetor) në ueb-faqen e mediumit “NTV Televizion”. Hibrid.info ka gjetur se informacioni i dhënë në titull, paraqet pretendim të Milan Niç nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, gjë e cila nuk sqarohet në titullin e këtij teksti. (këtu)