Mediumi shtetëror rus Sputnik, në edicionin në gjuhën serbe “Sputnik.rs”, ka publikuar dje (24 mars) një artikull përmes së cilit pretendon se në fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë jugosllave/serbe në vitin 1999, janë hedhur 37.000 bomba thërrmuese.
Këtë pretendim, ky medium nuk e bazon në asnjë fakt. Për më tepër, i njëjti pretendim bie ndesh me burime kredibile.
Përpos të dhënave tjera të pabazuara të paraqitura në përmbajtje, në këtë artikull pra paraqitet edhe kjo e dhënë që pretendon pa bazë numrin e bombave thërrmuese të hedhura nga NATO, pretendim ky i përdorur edhe në titull “U hodhën 37,000 bomba thërrmuese dhe 15 ton uranium: Dita e fillimit të agresionit të NATO-s kundër RF të Jugosllavisë”. Ky artikull u publikua në 24 vjetorin i fillimit të fushatës ajrore të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë së atëhershme jugosllave.
Pasi që vegëza (këtu) e artikullit të “Sputnik.rs” nuk mund të hapet si domain në Kosovë për shkak se është vlerësuar si medium pro politikave të Kremlinit zyrtar, është vendosur që, së bashku me të, të publikohet edhe versioni “print-screen”:
Pjesë nga përmbajtja e artikullit të “Sputnik.rs” të përkthyer në shqip:
T: U hodhën 37,000 bomba thërrmuese dhe 15 ton uranium: Dita e fillimit të agresionit të NATO-s kundër RF të Jugosllavisë
Pothuajse nuk ka qytet në Serbi që të mos jetë shënjestruar gjatë 11 javëve të agresionit. NATO kreu 2,300 sulme dhe hodhi 22,000 ton raketa, duke përfshirë 37,000 bomba thërrmuese të ndaluara dhe ato të mbushura me uranium të pasuruar. Përveç sulmeve nga anijet në Adriatik, si dhe nga katër baza ajrore në Itali, operacione u kryen edhe nga baza në vendet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA.
Revista Evropiane për të Drejtën Ndërkombëtare “European Journal of International Law” (EJIL), në një raport të publikuar në vitin 2001 (shih këtu), shkruan se numri i bombave dhe raketave të të gjitha llojeve të lëshuara nga NATO në fushatën ajrore të vitit 1999, arrin në 23 mijë.
Në raporte tjera kredibile, nuk përmendet fare totali i numrit të bombave/raketave të hedhura nga NATO në atë fushatë. Në raportin e “Amnesty International” (AI) jepen të dhëna tjera të dobishme për ngjarjet në Kosovë dhe fushatën e NATO-s, por nuk paraqitet ndonjë numër total i raketave/bombave të hedhura nga Aleanca Euro-Atlantike (këtu).Edhe në raportet e NATO-s për zhvillimet e asaj kohe në Kosovë, nuk jepen shifra të tilla (këtu).
Raporte për fushatën e vitit ’99 të NATO-s kanë publikuar edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) (shih këtu), e “Human Rights Watch”, organizatë kjo që i është dedikuar në veçanti hedhjes së bombave thërrmuese (shih këtu).
Megjithatë, totali i numrit të bombave/raketave të hedhura, nuk është arritur të gjendet në asnjërën nga këto raporte.
Analiza:
Edicioni i mediumit shtetëror rus – Sputnik në gjuhën serbe, në versionin online “Sputnik.rs”, bënë pretendimin se NATO ka hedhur 37 mijë bomba thërrmuese në fushatën ajrore gjatë luftës në Kosovë, është tërësisht i pabazuar.
Hibrid.info ka gjetur të dhëna që tregojnë numër dukshëm më të ulët dhe burime tjera që nuk arrijnë ta evidentojnë fare totalin e numrit të bombave/raketave të hedhura, e lëre më atë të bombave thërrmuese.
Në bazë të analizës së fakteve të paraqitura në artikullin e “Sputnik.rs”, rezulton që pretendimi është i pabazuar dhe, duke iu referuar metodologjisë së hibrid.info, ky pretendim vlerësohet si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.