[email protected]
Titull çorientues, Sarrazin s’ka përmendur afate për çështjen e Kosovës në CEFTA
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

“AFATI 1 JAVE, pastaj goditje për nokaut/ Sarrazin flet për armët e futura në veri”, mban titullin një artikull i publikuar të hënën (9 shtator).

Artikulli u publikua nga mediumi “ntv.al”.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Titulli lë hapësirë të nënkuptohet se Sarrazin ka dhënë ndonjë afat për çështje të caktuara. Megjithatë, kjo nuk qëndron. E madje, titulli nuk përshtatet as me përmbajtjen e artikullit të vetë “ntv.al”. Në asnjë pjesë të tekstit nuk përmendet çështja e afatizimeve.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “ntv.al”:

https://archive.is/QpBB6


Artikulli flet për deklaratën e Sarrazinit për arsyetimin e Qeverisë së Kosovës për bllokimin e disa importeve nga Serbia, duke përdorur si argument çështjen e sigurisë dhe ndalimin eventual të futjes së armëve përmes këtyre importeve. Sipas artikullit, Sarrazin ka thënë se numri i armëve në veri të Kosovës vazhdon të jetë i njëjtë pavarësisht masave. Në shkrim është cekur që kur është pyetur se çfarë i thotë kryeministri Albin Kurti në takime, Sarrazini ka thënë se “arsyetimi i Qeverisë së Kosovës po ndryshon çdo javë”.

Pjesë nga artikulli i “ntv.al”:

“Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e sigurisë, por më duhet të them se kjo ndalesë e tregtisë nuk është duke ndihmuar aspak në aspektin e sigurisë. Nuk e kuptoj pse disa mallra po lejohen e disa jo. A mendoni se në disa lëndë të para nuk mund të fshihen armë, kurse ne disa te tjera Jo?”, deklaroi Sarrazin, duka shtuar se ka tashmë “më tepër se një vit pune” për të arritur pajtimin qe nuk po ndodhë, edhe për faktin se, siç tha ai, kushtëzimet e Kosovës “vazhdimisht po ndryshojnë”.


Çka tha Sarrazin?

Hibrid.info ka kërkuar në makinat online për deklarata të  fundit të Sarrazinit. Intervista e fundit publike e gjetur e Sarrazinit e që lidhet me përmbajtjen e artikullit në fjalë është ajo në emisionin “Interaktiv” në Kohavision më 5 shtator (shih këtu).

Në këtë intervistë, Sarrazini ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës për mosarritjen e një dakordimi për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Ai ka thënë se ka marrë përgjigje negative në kërkesën që Kosova të zhbllokojë futjen e mallrave serbe. E te çështja e arsyetimeve të Kosovës për çështjet e sigurisë dhe mallrave, Sarrazini ka thënë se “arsyetimi po ndryshon çdo javë”

Sarrazini po ashtu ka paralajmëruar që do të shihet mundësia që kjo marrëveshje të ecë edhe pa Kosovën, ndërsa nuk ka përmendur afate.

Pjesë nga intervista, e në të cilën bëhet pyetja për afatet (shih këtu):

KOHA: Ju vendosët ndonjë afat? Është pyetja ime e fundit në këtë çështje.

Sarrazin: Mendoj se më me rëndësi sesa afati është që nëse Kosova nuk lëviz, marrëveshja bëhet më e keqe. Sot kanë mundësi të kenë angazhimet tona të sigurisë, të hiqen ndalesat e eksportit, të largohet UNMIK-u nga trupat e CEFTA-s…


Analiza:

Mediumi “ntv.al” ka përdorur titull i cili nuk ndërlidhet me artikullin për intervistën e fundit të emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për çështjen e Kosovës. “AFATI 1 JAVE, pastaj goditje për nokaut/ Sarrazin flet për armët e futura në veri”, mban titullin artikulli i cili nuk flet fare për afate të dhëna.

Hibrid.info ka gjetur intervistën e Sarrazinit. Në të ai ka refuzuar të tregojë nëse janë dhënë afate për çështjen e Kosovës në CEFTA.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »