Portali informativ “Insajderi.org” ka publikuar sot (5 shtator) një artikull me titull “Arrestohet aktori i njohur, dyshohet për sulm seksual”.
Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se aktori i cilit shtet është arrestuar.
Vendndodhja e ngjarjes sqarohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Aktori spanjoll Gabriel Guevara, ylli i ekskluzivitetit spanjoll të filmit adoleshent Amazon Prime My Fault, është arrestuar gjatë Festivalit të Filmit në Venecia me akuza të dyshuara për sulm seksual”.
Duke e ditur se ky portal informativ shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Insajderi.org”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në mediumet e huaja që kanë raportuar për arrestimin e aktorit spanjoll. (shih këtu dhe këtu)
Në postimin e këtij artikulli në Facebook nga faqja zyrtare e portalit në fjalë, shihen reagimet e lexuesve në pjesën e komenteve që kanë rënë pre e titullit përgjithësues, duke bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë aktor nga vendi (shih fotografinë më poshtë).
Analiza:
Portali informativ “Insajderi.org” ka publikuar artikull me titull përgjithësues, duke mos sqaruar se për aktorin e cilit shtet bëhet fjalë.
Ky portal i cili vepron në Kosovë dhe lexuesit parësor i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë ky lajm, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja kanë ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.