Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “analiza.koranews24.com” me datë 11 shtator ka publikuar një artikull me titull “LAJM I MADH: Ushtria shqiptare pajistet me dronat turk dhe “bishat” amerikane?”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i pasaktë, ndërsa lajmi është i vjetër i publikuar më 11 korrik.
Nga hulumtimi i kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në kohë reale (11 korrik) nga portali “Balkanweb.com”, ku thuhet se porosia e raketave amerikane “Javelin” do t’i vije ushtrisë shqiptare me një datë të parashikuar të përfundimit të punës më 28 shkurt 2025.
Pra, nuk është e vërtetë që ushtria shqiptare është pajisur me këto raketa dhe dronë, siç pretendohet në titull.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “analiza.koranews24.com”:
Artikullin e publikuar në kohë reale (11 korrik) në portalin “Balkanweb.com” mund ta gjeni këtu.
Në këtë artikull bëhet e ditur se përveç raketave amerikane “Javelin”, vonesa në porosi do të ketë edhe për dronët turq “Bayraktar”, por që nuk specifikohet se kur pritet të furnizohet me ta ushtria shqiptare.
Për ta qartësuar edhe më shumë këtë fakt, portali i dedikuar për lajmet ushtarake “Military Leak” zbulon se porosia e Shqipërisë, së bashku me atë të Letonisë, Tajlandës dhe Norvegjisë mund të jetë gati vetëm në 28 shkurt të vitit 2025. (shih këtu)
Analiza:
Portali i dyshimtë “analiza.koranews24.com” ka publikuar një artikull të vjetër të datës 11 korrik, të cilit i ka vënë titull të rremë me pretendimin ta paraqesë si aktual.
Pas analizës së kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.