Pas sulmit ajror që goditi një shkollë në Chernihiv, një video e një të mbijetuare të gjakosur u bë virale në mediat sociale në Ukrainë. Por së shpejti, kjo video u rrëmbye nga llogari pro-Kremlinit, përfshirë edhe të atilla që promovohen nga Ministria e Jashtme e Rusisë, duke pretenduar se video kishte përmbajtje të falsifikuar.
“Nuk kishte asnjë detonim, shushurimë apo zhurmë granatimesh”, thotë Tania. “Thjesht goditi ndërtesën dhe papritmas gjithçka u errësua. Ndërtesa u shemb”.
Tania u kap në një sulm ajror në fillim të marsit. Ajo po ndihmonte në renditjen e rrobave për një makinë me ndihma humanitare në shkollën numër 21 në Chernihiv, në veri të Kievit, kur një raketë goditi ndërtesën.

Megjithëse autoritetet nuk e përmendën emrin e shkollës, BBC ishte në gjendje të konfirmonte ndërtesën specifike përmes imazheve të postuara në aplikacionin e mediave sociale Telegram.
Autoritetet lokale raportuan në atë kohë se aeroplani ushtarak rus kishte goditur dy shkolla atë ditë, duke lënë nëntë persona të vdekur dhe katër të plagosur.
Tania u rrëzua nga shpërthimi. Ajo thotë se kur kishte rimarr vetën, kuptoi se ishte gjallë dhe mund të ecte. Ajo u ngrit në këmbë, shikoi përreth dhe pa njerëzit në gjendje paniku. Ajo vuri re gjithashtu trupa të shtrirë në dysheme, duke përfshirë atë të një gruaje që kishte qëndruar pranë saj vetëm disa minuta para sulmit.
E frikësuar, ajo iku në shtëpinë e saj.

Aty, ajo postoi një video në Instagram – ende e mbuluar me gjak dhe me lëndime të dukshme në fytyrë – në të cilën shpjegoi se çfarë kishte ndodhur.
“Isha në shkollën numër 21 kur ndodhi shpërthimi”, thotë ajo në klip. “Kam mbijetuar, fat të gjithëve, shpresoj të jeni më me fat se unë”.
“Pse po e bëjë këtë video? Thjesht kishte shumë fëmijë në atë shkollë. Nuk e di nëse kanë mbijetuar. Thjesht dërgojani këtë video të gjithë miqve tuaj rusë”.
Në pak orë, video e saj u bë virale në Ukrainë. Klipi mblodhi dhjetëra mijëra shikime vetëm në Instagram dhe u kap nga një numër i faqeve të lajmeve ukrainase.

Tania i tha BBC-së se kishte fituar mijëra ndjekës të rinj dhe kishte marrë dhjetëra mesazhe në Instagram – disa mbështetëse, disa kërcënuese.
Njerëz nga Rusia ishin mes atyre që i shkruanin asaj. Disa prej tyre kërkuan falje për veprimet e autoriteteve ruse. Por të tjerët nuk e besuan historinë e saj dhe e quajtën si të rreme – “fake”.
Pretendimet e fabrikimit
Shumë shpejt miqtë e Tanias filluan t’i dërgonin pamjet e saj nga mediat ruse dhe bjelloruse, në të cilat videoja e saj përshkruhej si një sajesë.
Këto raporte e përshkruan atë si një “nxënëse”, pretenduan se plaga në fytyrën e saj nuk ishte e vërtetë dhe pretendohej se gjaku në fytyrën e saj nuk dukej natyral dhe se ajo po sillej shumë “normalisht” për një person që sapo i kishte mbijetuar një bombardimi. .
Pretendimet ishin të rreme. Tania nuk është “nxënëse” – ajo është 29 vjeç dhe ka punuar si kamariere para se të fillonte pushtimi.
Fotot që ajo i bëri vetes në ditën e dytë pas sulmit – të ndara me BBC – tregojnë qartë lëndimet në fytyrë në përputhje me pamjet që ajo postoi në Instagram.
Sa i përket qetësisë së saj në dukje të qetë, Tania i tha BBC-së se ishte në “shok të thellë” kur regjistroi videon.

“Isha e qetë dhe nuk u tremba. Isha thjesht e tronditur”, thotë ajo. “Disa orë pas kësaj, po kaloja nëpër një histeri. Për dy ditët e ardhshme, nuk mund të haja apo të flija, thjesht qaja. Ishte një makth”.
Disa raporte ruse pohuan gjithashtu se shkollat në të gjithë Ukrainën pushuan së funksionuari në fillim të pushtimit dhe pretenduan se nuk mund të kishte shumë fëmijë në shkollë në kohën e sulmit.
Por shkolla po përdorej si një pikë grumbullimi për ndihma humanitare dhe konsiderohej një vend i sigurt nga banorët vendas, thotë Tania, disa prej të cilëve kishin sjellë fëmijët e tyre atje.
Zyrtarët e konfirmuan atë llogari. Vyacheslav Chaus, kreu i administratës shtetërore rajonale të Chernihiv, na tha se bodrumi i shkollës ishte i hapur në mënyrë që civilët vendas të mund të fshiheshin në rast granatimesh.
(Artikulli i plotë i BBC-së i disponueshëm në gjuhën angleze)