Disa media online në gjuhën shqipe me datë 21 nëntor kanë publikuar artikuj me video dhe imazhe nga ajo video, në të cilën shihet një tifoze e Kombëtares së Anglisë, e cila është zhveshur para tifozëve të kësaj kombëtare.
Këto portale kanë rënë pre e këtij video materiali, të cilin e kanë paraqitur si ngjarje që ka ndodhur në Kampionatin Botëror që po mbahet në Katar.
Megjithatë, kjo video është vërtetuar se nuk është realizuar në Katar, pasi është gjetur e publikuar në korrik të vitit 2021.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur videon dhe imazhet e saj të publikuara në disa media online në gjuhën shqipe si “Periskopi.com”, “GazetaBlic.com”, “Shqip.com”, “Newsport.al”, “TiranaNews.al”, “Shqiptarja.com” dhe “Sot.com.al”.
Verifikimi është bërë fillimisht nga kontrolluesit e fakteve nga Spanja “Maldita.es“, që vërteton se ky video material është në qarkullim të paktën që nga korriku 2021 dhe nuk ka lidhje me Kupën e Botës 2022, e cila është gjetur në një faqe me përmbajtje për të rritur. (shih këtu)

Bazuar në këtë datë (11 korrik 2021) kur edhe është gjetur e publikuar kjo video, rezulton që ajo të jetë realizuar gjatë finales së Kampionatit Evropian ndërmjet Italisë dhe Anglisë. (shih këtu)

Analiza:
Një video material është publikuar nga media online në gjuhën shqipe, e cila pretendohet të jetë realizuar në Kampionatin Botëror të futbollit në Katar. Në këtë video shihet një tifoze angleze e cila zhvishet para tifozëve të kësaj kombëtare.
Megjithatë, kontrolluesit e fakteve nga Spanja “Maldita.es“, kanë vërtetuar se kjo video nuk i përket këtij kompeticioni që po zhvillohet në Katar, por ajo është në qarkullin të paktën që nga korriku i vitit 2021.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arysetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.