info@hibrid.info
Vuçiq dhe disa media serbe pretendojnë pa-argumentueshëm se Kosovën nuk e njohin 103 shtete
shape
shape
shape

E përditshmja serbe “Novosti” në ueb-faqen e saj “Novosti.rs” ka publikuar artikullin ku pretendohet se shtetin e Kosovës nuk e kanë njohur 103 nga gjithsej 193 shtete të botës. Gazeta i referohet deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili theksoi se në “sirtarin e tij gjenden dokumentacioni për shtatë shteteve për tërheqje të njohjes së Kosovës”.

Përkundër faktit që numri i shteteve që kanë njohur Kosovën është përcjellë edhe me paqartësi, për shkak se disa shtete kanë qenë të paqarta në vendimin e tyre të njohjes, hibrid.info vlerëson se pretendimet e gazetës janë dezinformatë.


Vegëza e artikullit të publikuar nga mediumi “Novosti.rs”:

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1149000/laznu-drzavu-dosad-nisu-priznale-cak-103-zemlje-sveta-kampanja-lobiranja-otpriznavanje-kosova-nastavlja-nesmanjenim-tempom


Pjesë të artikullit të publikuar në “Novosti.rs” të përkthyer:

FUSHATA e njohjes së pavarësisë së shtetit të vetëshpallur, të cilën e udhëhoqi Serbia, dha rezultate, kështu që në këtë moment 103, nga gjithsej 193 vende të botës, nuk e njohin të ashtuquajturën Kosovë.

Siç ka bërë të ditur të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “sirtari” përmban dokumentet e shtatë shteteve për tërheqje. Emrat e këtyre vendeve nuk janë bërë ende të ditur dhe ata vendosën të tërhiqnin njohjet kur Beogradi, pas skadimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, ku ne morëm përsipër të mos lobonim për njohje, përsëri filloi një ofensivë diplomatike.


E përditshmja serbe pretendon se nga gjithsej 193 shtetet të botës 103 prej tyre nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, e që në fakt rezulton që 90 shtete e kanë njohur atë. Po ashtu, Vuçiq deklaron se, edhe shtatë shtete, të cilat e kanë njohur fillimisht Kosovën ia kanë dorëzuar më pas atij tërheqjen e njohjeve, por pa i bërë publike emrat e këtyre shteteve.

Në bazë të të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (duke ju referuar burimeve alternative për shkak se publikimet në ueb-faqe zyrtare për njohje janë jofunksionale), Kosova është njohur 117 shtete nga gjithsej 193 sa janë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). (shih këtu)

Njohja e fundit që Kosova mori ishte nga shteti i Izraelit më 1 shkurt të vitit 2021. (shih këtu)


Deri më tani Serbia pretendon se njohjen e Kosovës e kanë tërhequr 15 shtete: Suriname, Burundi, Papua New Guainea, Lesotho, Comoros, Dominica, Grenada, Ishujt Solomon, Madagascar, Palau, Togo, Central African Republic, Ghana, Nauru dhe Sierra Leone.

Përderisa vetëm informacionet për disa prej tyre figurojnë në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë (Lesotho, Gana, Comoros, Nauru, Madagaskar).

Autoritetet e Kosovës, megjithatë, nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

Pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ashtu si edhe një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Moratoriumet kanë skaduar në shtator të vitit të kaluar dhe Serbia ka rinisur fushatën e saj për çnjohje të shtetit të Kosovës.


Analiza:

Mediumi në gjuhën serbe “Novosti” në një artikull të publikuar sot pretendon se shteti i Kosovës, nga gjithsej 193 shtete të botës, 103 prej tyre nuk e kanë njohur. Përderisa, në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, zyrtarisht llogaritën 117 njohje nga gjithsej 193 shtete të botës.

Zyrtarët serbë pretendojnë se 15 shtete kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës, edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjenden informacione për vetëm pesë tërheqje të njohjeve, përkundër faktit që autoritet kosovare nuk e konfirmojnë një gjë të tillë.

Hibrid.info në bazë të metodologjisë së punë vlerëson se pretendimet e të përditshmes serb janë “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »