Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, javën e kaluar (5 maj) i është drejtuar publikut pas takimit që kishte me ministren gjermane të Mbrojtjes, Kristina Lambrecht.
Në këtë konferencë për media, në një përgjigje për gazetarë, Vuçiq tha se gjatë ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi, në vitin 1999 janë vrarë, siç është shprehur 82 fëmijë tanë, duke aluduar në fëmijë serbë. Këtë pretendim, Vuçiq e bëri duke mos iu referuar ndonjë raporti kredibil për viktimat e luftës në Kosovë.
“Kërkoj vetëm pak respekt për vendin ku u vranë 82 fëmijë. Duhet gjetur një zgjidhje kompromisi, jo një zgjidhje që do të imponohet. Serbia po përballet me kohë të vështira, besoj se do të mund të qëndrojmë dhe të mbijetojmë dhe të jemi një partner i besueshëm”, pati thënë Vuçiç. (shih këtu)
Pretendimi i Presidentit të Serbisë, rezulton të jetë i paskatë në disa këndëvështrime. Ndonëse nuk përmend kombësinë e fëmijëve të vrarë, ai lë të kuptohet se ata janë serbë. Megjithatë, shifra 82 e fëmijëve të vrarë, nuk i referohet asnjë raporti dhe asnjë të dhëne. Shifra 82 nuk përputhet as me numrin total të fëmijëve të vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s, nga të gjitha komunitete, dhe as numrit të fëmijëve serbë të vrarë.
Këtë e dëshmon më së miri drejtuesja e Rrjetit për Ripajtim “RECOM” në Serbi, si dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq. Shifrat që i paraqet Kandiq, si një nga aktivistet kryesore në mbledhjen dhe publikimin e shifrave për të vrarët në luftërat e ish-Jugosllavisë (këtu), bie ndeshë me pretendimin e Vuçiqit. Ajo për gazetën serbe “DANAS” ka demantuar presidentin serb lidhur me këtë deklaratë të tij. Kandiq theksoi se shumica e viktimave janë shqiptarë, shkruan Danas. (shih këtu)
“Ditët e fundit është përsëritur vazhdimisht numri prej 70 deri në 82 ‘fëmijë tanë’ që humbën jetën nga bombat e NATO-s. Në mesin e 101 viktimave, nën moshën 18 vjeç, 25 janë të rinj të kombësisë serbe, dhe 15 janë nën moshën 14 vjeç. Shumica e viktimave janë fëmijë të kombësisë shqiptare, 47 prej tyre janë më të rinj se 14 vjeç, 19 janë nga 14 deri në 18 vjeç dhe 10 janë fëmijë romë”, shtoi Kandiq.
Edhe vetë Rrjeti për Ripajtim në Serbi – “RECOM”, përmes një reagimi, ka demantuar Vuçiqin, duke i kërkuar që të mos i paraqesë vetëm si serbë viktimat e moshës minore gjatë intervenimit të NATO-s në vitin 1999.
“RECOM” listoi 101 viktima të NATO-s nën moshën 18 vjeç me emrat e tyre: 66 fëmijë shqiptarë, 25 me kombësi serbe dhe 10 me kombësi rome. Ndër fëmijët e vrarë, 66 ishin nën moshën 14 vjeç.
Vegëza e publikimit të Rrjetit për Ripajtim “RECOM” me emrat e 101 viktimave fëmijë të vrarë:
Analiza:
Nga kontrolli i fakteve të publikuara nga mediat serbe rreth deklarimi të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për numrin e fëmijëve të vrarë nga fushata ajrore e NATO-s, rezulton se kjo deklaratë të jetë e pavërtetë. Këtë e dëshmojnë shifrat e paraqitura nga organizatat kredibile serbe, të specializuara në fushën e të drejtave njerëzore.
Nga analiza e këtyre fakteve, rezulton se deklarata e Vuçiqit është tërësisht e pavërtetë dhe, si rezultat, kjo merr vlerësimin si “Lajm i rremë”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.