Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh që shfaq Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë, me një mbishkrim që pretendon se ai po këmbëngul për një koalicion mes partive opozitare në Kosovë, së bashku me Listën Serbe (LS), por pa Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Kjo përmbajtje u publikua gjashtë ditë më parë në TikTok nga një llogari me emrin “shqiptariks”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se nuk ka deklarata publike të presidentit Vuçiq, ku ai të jetë shprehur në favor të ndonjë koalicioni të caktuar në Kosovë.

Deri në momentin e trajtimit, kjo përmbajtje në TikTok ka marrë mbi 81 mijë shikime e 727 komente.
Vuçiq ka thënë se Lista Serbe e ka shënuar një “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë” në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, duke thënë se kjo ka treguar “përkushtimin e fortë të popullit serb për t’i ruajtur vatrat e tyre dhe për t’u mbështetur te Serbia e tyre”. Ky deklarim i presidentit serb është hasur në një artikull të mediumit Radio Evropa e Lirë, të cilin hibrid.info e ka gjetur pas hulumtimit.
Në të njëjtin artikull raportohet se Vuçiq të ketë thënë se, “nuk dëshiron” të spekulojë apo “të ndërhyjë në marrëdhëniet ndërshqiptare”, por se kushdo që do ta formonte një qeveri me Albin Kurtin “do të ishte i vdekur politikisht”.
Hibrid.info ka gjetur se edhe në tetor të vitit të kaluar, Marko Gjuriq, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë kishte bërë thirrje të mos votohet Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillt të Sigurimit në Nju Jork.
Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt të këtij viti.
Analiza:
Pretendimi se Vuçiqi po këmbëngul për një koalicion të partive opozitare shqiptare me LS-në dhe pa LVV-në, është i pasaktë.
Vuçiqi nuk ka shprehur mendimin e tij se si ai preferon përbërjen e koalicionit qeverisës në Kosovë, por ai ka thënë se kushdo që do ta formonte një qeveri me Kurtin “do të ishte i vdekur politikisht”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje të publikuar nga disa faqe në Facebook, si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.