info@hibrid.info
Wagner në Sudan: Çfarë po bëjnë atje mercenarët rusë?
shape
shape
shape

Forcat mercenare ruse të grupit Wagner akuzohen se kanë lidhje të ndryshme tregtare dhe ushtarake me Sudanin, por grupi ka mohuar çdo përfshirje në konfliktin aktual në vend.

Themeluesi i saj, Yevgeny Prighozin – i cili ka lidhje të ngushta me presidentin Vladimir Putin – ka thënë se “asnjë luftëtar i Wagner PMC [kompani ushtarake private] nuk ka qenë i pranishëm në Sudan” për më shumë se dy vjet.

Ne nuk kemi gjetur asnjë provë që mercenarët rusë janë aktualisht brenda vendit. Por ka prova të aktiviteteve të mëparshme të Wagner në Sudan dhe operacionet e Prighozin në vend janë shënjestruar nga sanksionet e SHBA dhe BE.


Marrëveshjet për nxjerrjen e arit

Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm i Sudanit Omar al-Bashir nënshkroi një sërë marrëveshjesh me qeverinë ruse gjatë një vizite në Moskë.

Duke përfshirë një marrëveshje me Rusinë për të ngritur një bazë detare në Portin e Sudanit në Detin e Kuq, si dhe “marrëveshje koncesionare për nxjerrjen e arit midis kompanisë ruse M Invest dhe Ministrisë sudaneze të Mineraleve”.

Thesari i SHBA-së pretendon se M Invest dhe një grup filial, Meroe Gold, janë fronte për aktivitetet e Grupit Wagner në Sudan, prodhuesi i tretë më i madh i arit në Afrikë.

“Yevgeniy Prigozhin dhe rrjeti i tij janë duke shfrytëzuar burimet natyrore të Sudanit për përfitime personale dhe duke përhapur ndikim keqdashës në mbarë globin”, kishte thënë sekretari i thesarit Steven Mnuchin në 2020.

Si M Invest ashtu edhe Meroe janë vënë në shënjestër të sanksioneve të SHBA-së.

Sipas një hetimi nga CNN, ari është transportuar nëpërmjet rrugëve tokësore në Republikën e Afrikës Qendrore, ku Wagner dihet se operon – eksportet nuk janë regjistruar në të dhënat zyrtare të tregtisë sudaneze.


Çfarë ka bërë tjetër Wagner në Sudan?

Që nga viti 2017, burimet ruse dhe ndërkombëtare kanë publikuar pamje që duket se lokalizojnë mercenarë rusë brenda Sudanit.

Pamjet thuhet t’i shfaqin mercenarët rusë në role të ndryshme duke përfshirë stërvitjen e ushtarëve sudanezë apo dyshimet për ndihmë ndaj forcave të sigurisë në shtypjen e protestave. BBC nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur këto pamje.

Në vitin 2021, një kanal Telegram i lidhur me Wagner-in publikoi imazhe që shfaqnin një komandant të paidentifikuar të lartë të Wagner-it që u ndante mirënjohje ushtarëve sudanezë në një ceremoni të mbajtur dy vjet më parë.

Dhe në korrik të 2022-së, ky kanal shpërndau një video që dyshohet se tregon mercenarët e Wagner-it duke kryer ushtrime të uljeve me parashutë për forcat sudaneze.

I njëjti burim i lidhur me profilin e Instagramit të një mercenari anonim rus, i cili e quan veten “freelancer” ndau histori për të bëmat e tij në Sudan në postimet e tij, nga gushti dhe tetori i vitit 2021.

Në një film aksion propagandistik të Wagner-it të vitit 2020, Sudani u paraqit si një nga vendet ku veprojnë mercenarët.


Ndikimi i Wagner

Thesari amerikan thotë se Grupi Wagner ka kryer “operacione paraushtarake, ka mbështetur ruajtjen e regjimeve autoritare dhe ka shfrytëzuar e burimeve natyrore”.

“Fillimisht, në vitin 2018, ata kishin rreth 100 pjestarë që stërvitnin në mënyrë aktive forcat ushtarake sudaneze dhe marrëdhëniet vetëm sa janë zhvilluar që nga aj moment”, thotë Dr Joana de Deus Pereira e Institutit Mbretëror të Bashkuar të Shërbimeve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Raportet e mediave sudaneze thonë se shifra u rrit në rreth 500, dhe ata ishin vendosur kryesisht në jug-perëndim pranë Um Dafuq, afër kufirit të Sudanit me Republikën Qendrore të Afrikës.

Portali elektronik Sudan Tribune raportoi se kur Presidenti Bashir u përball me protesta popullore në vitin 2019, “luftëtarët rusë” u vendosën për të vëzhguar protestat antiqeveritare së bashku me shërbimet sudaneze të inteligjencës dhe sigurisë, megjithëse kjo u mohua nga autoritetet sudaneze.


Ndërrimi i aleancave

Grupi Wagner krijoi fushatat e veta mediatike për të ndihmuar Presidentin Bashir të qëndrojë në pushtet, thotë Dr Samuel Ramani, autor i një libri për aktivitetet e Rusisë në Afrikë.

“Prigozhin po bënte thirrje që… protestuesit të akuzoheshin si pro-izraelitë dhe anti-islamikë”, thotë ai.

Kjo shkaktoi fërkime me forcat e sigurisë së presidentit, dhe kështu Wagner e zhvendosi mbështetjen nga presidenti tek njeriu që e rrëzoi atë – gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan.

“Ndërsa Ministria e Jashtme në Moskë ishte kundër grushtit të shtetit, Prigozhin dhe Grupi Wagner në fakt e mirëpritën marrjen e pushtetit nga al-Burhani”, thotë Dr Ramani.

Sipas Dr Ramani, ishte në viti 2021 dhe 2022 kur Grupi Wagner rriti lidhjet e tij me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), e cila aktualisht po lufton ushtrinë e rregullt të Sudanit, të udhëhequr nga Gjenerali Burhan.

Prigozhin ishte i interesuar të merrte më shumë ari përmes minierave të blera së fundmi nga u dhëheqësi i RSF-së, Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur gjerësisht si Hemedti.

Vitin e kaluar, Hemedti vizitoi Moskën, duke thënë se shpresonte të forconte lidhjet midis Sudanit dhe Rusisë.

Megjithatë, Kholood Khair i Confluence Advisory, një institut kërkimor mbi çështjet sudaneze, beson se Grupi Wagner nuk po zgjedh palë në konfliktin aktual.

“Wagner ka pasur lidhje si me ndërmarrjet e gjeneralit al-Burhan ashtu edhe me ndërmarrjet e z. Hemedti në shkallë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme”, thotë ajo.


Prania e Wagnerit në vendet tjera në Afrikë

Për luftëtarët e Wagner është raportuar gjerësisht se kanë qenë në Republikën Qendrore të Afrikës për disa vite, duke ruajtur minierat e diamanteve të vendit, si dhe në Libi dhe Mali.

Një hetim i BBC-së në vitin 2021 gjeti prova të përfshirjes së tyre në luftën civile të Libisë nga një pajisje dixhitale e lënë pas nga një luftëtar Wagner dhe nga biseda me ushtarët dhe civilët libianë.

Në Mali, qeveria i është drejtuar Wagnerit për të ndihmuar në luftimin e militantëve islamikë, megjithëse nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht praninë e grupit.

Human Rights Watch (HRW) ka akuzuar mercenarët rusë për abuzime të rënda, si në Republikën e Afrikës Qendrore ashtu edhe në Mali, duke përfshirë torturat dhe vrasjet.

(Artikull i publikuar nga BBC)

Share With Others

Translate »