Presidenti i Këshillit Atlantik në Serbi, Vladan Zhivulloviq, ka thënë se kërkesa për anëtarësim të Kosovës në NATO është e parealizueshme, duke pretenduar se për këtë kërkohet pranimi paraprak në OKB.
Këtë pretendim Zhivulloviq e ka bërë në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve – Tanjug (këtu).
Mirëpo, pretendimi i bërë nga ky zyrtar serb, rezulton të mos jetë i saktë. Hibrid.info, përmes kërkimit digjital, ka arritur të gjejë kriteret që NATO i paraqet për anëtarësime të reja në këtë aleancë. Në asnjërën nga këto kritere të paraqitura, nuk paraqitet një i atillë që pretendon Zhivulloviq, pra të qenurit pjesë e OKB-së.
Pjesë të artikullit të Tanjug-ut, e përkthyer në shqip:
Kryetari i Këshillit Atlantik në Serbi, Vladan Zhivuloviq, ka vlerësuar sot se kërkesat e Prishtinës për të marrë një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë dhe anëtarësimin në NATO me procedurë të përshpejtuar janë së paku joserioze, në radhë të parë sepse është një shtet i parealizuar që nuk përmbush kushtin themelor, nuk është anëtar i OKB-së.
Këtë koment të Zhivolloviqit e kanë transmetuar edhe media në gjuhën serbe nga Serbia e Kosova (shih këtu dhe këtu).
Në një faqe të Departamentit amerikan të Shtetit janë paraqitur kriteret për anëtarësim në NATO të shteteve aspiruese. Në mesin e pesë kritereve kryesore që janë të publikuara në këtë faqe, në asnjërën prej tyre nuk përmendet kriteri i të qenurit shtet anëtar i OKB-së, si parakusht për anëtarësim në NATO (këtu).
Analiza:
Agjencia serbe e lajmeve – Tanjug – ka publikuar artikull të përbërë nga një deklaratë e një zyrtari serb, e cila del të jetë e pavërtetë. Ky medium serb e ka publikuar këtë deklaratë si burim të vetëm për ndërtim të artikullit, duke mos e konfirmuar vërtetësinë e saj. Për këtë arsye, hibrid.info artikullin e Tanjug-ut dhe deklaratën e Zhivolloviqit e quan si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.