info@hibrid.info
Rikthehet përmbajtja e pasaktë për “640 mijë tonelata ari në dalje të Prishtinës”
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në një postim në Facebook, më 2 mars 2025, faqja “Pernime” ka kthyer një pretendim të para disa vjetëve për pasuritë e Prishtinës.

“640 mijë tonelata ari, kompania britanike njofton se janë në dalje të Prishtinës”, thuhet në mbishkrimin e një fotografie të publikuar nga kjo faqe.

Por çka nuk qëndron me këtë pretendim?

Hibrid.info pati trajtuar pretendimin e njëjtë, të publikuar nga disa media në gjuhën shqipe dy vjet më parë (këtu, këtu dhe këtu). Bëhej fjalë për një hulumtim të kompanisë britanike “Western Tethyan Resources”. Por hibrid.info pati gjetur se në publikimin e kësaj kompanie nuk jepen të njëjtat shifra. Në publikim thuhet se janë zbuluar 640 mijë tonelata xehe me potencial ekstraktimi të arit dhe jo ari i pastër.


“Kompania britanike njofton se në dalje të Prishtinës janë 640 mijë tonelata ari”, ishin titujt e publikuar në disa media, në mars të 2023-s.

Por në pjesën ku bëhen sqarime për rreth potencialit të burimeve të arit në nëntokën e këtij rajoni, në raport thuhet: Zona kryesore në Slivova ka burime të përcaktuara në përputhje (NI 43-101) prej 640 kt @ 4,8 g/t ari për 98,700 ona.

Fotografi e shkëputur nga raporti i kompanisë britanike “Western Tethyan Resources”


Pra, në këtë raport thuhej se në rajonin e Slivovës parashihet të ketë 640 kt (kiloton) apo 640 mijë tonelata xehe me potencial që të përmbajnë 4.8 g/t (gram ari për tonelatë).

Dendësia e mineralit të arit matet me gram për ton, ose g/t. (shih këtupërshkrimin e shkurtesës “g/t”)


Nga kalkulimi që i kemi bërë i bie që, nga 640 mijë tonelata me prezencë të 4.8 gramë ari për tonelatë minerale, mund të ekstraktohen në total rreth 2.800 kg ari të pastër.


Publikimi i faqes “Pernime” në Facebook, deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info ka marrë mbi 220 pëlqime, mbi 35 komente e 15 shpërndarje.


Analiza:

Faqja “Pernime” në Facebook ka publikuar një imazh nëpërmjet të cilit pretendon për 640 mijë tonelata ari në dalje të Prishtinës, sipas saj, bazuar në një njoftim të një kompanie britanike.

Por ky publikim është i njëjti me të disa mediave para dy vjetësh, e që ishte trajtuar nga hibrid.info.

Hibrid.info pati verifikuar raportin e publikuar nga kompania që citohej, “Western Tethyan Resources”. Sipas raportit, në rajonin e Slivovës parashihet të ketë 640 kt (kiloton) apo 640 mijë tonelata minerale me potencial që të përmbajnë 4.8 g/t (gram ari për tonelatë). Pra, nuk bëhet fjalë për 640 mijë tonelata ari, por minerale me potencial ekstraktimi të arit dhe jo ari i pastër.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson postimin në Facebook si “Përmbajtje e pa verifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »