Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një imazh ku shihen Albin Kurti, kryeministri i Kosovës dhe Rexhep Qosja, akademik. Në prapavijën e kësaj fotografie shihet portreti i varur në mur i Enver Hoxhës, diktatorit që udhëhoqi Shqipërinë në periudhën komuniste.
Përmbajtja është publikuar më 10 shkurt në TikTok nga një llogari me emrin “djathtas_al”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Hibrid.info ka gjetur se kjo fotografi është e manipuluar.

Në publikim ka edhe komente të atillë që sugjerojnë se përmbajtja mund të perceptohet si e vërtetë.
Hibrid.info me anë të kërkimit manual, ka gjetur këtë fotografi ndërmjet Kurtit dhe Qosjes. Fotografia ishte publikuar në llogarinë në Facebook (17 shtator, 2019), të Sabri Kiçmarit, ambasador i Kosovës në Japoni, ku shihet edhe ky i fundit.

Në fotografinë origjinale të publikuar nga Kiçmari, mungon portreti i diktatorit Hoxha në prapavijë. Kjo tregon se imazhi është modifikuar për të krijuar një përshtypje të rreme, duke e paraqitur diktatorin Hoxha prapa Kurtit dhe Qosjes.
Analiza:
Fotografia ku shihet portreti i diktatorit Enver Hoxha në mur, në një shkrepje ku shfaqen kryeministri Albin Kurti dhe akademik Rexhep Qosja, është e manipuluar.
Në fotografinë origjinale ku shihen Kurti, Qosja dhe ambasadori Kiçmari (prej nga edhe shkëputur fotografia e trajtuar), mungon portreti i diktatorit Hoxha.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.