Faqja “Gazeta Aktuale” në Facebook ka publikuar dje (25 shtator) një imazh në të cilën shihet një armë e tipit snajper.
Me anë të kësaj fotografie është pretenduar se ky ka qenë snajperi i përdorur nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të ditës së diel në veri të vendit, duke shtuar se me anë të kësaj arme nga ky pozicion janë vrarë 4 sulmues serbë.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky imazh nuk i përket ngjarjes së fundit në veri, por e njëjta është shkrepur në vitin 2022 në bazën ajrore Robins, Xhorxhia në SHBA.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Gazeta Aktuale”:
Pas verifikimit të fakteve përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë këtë imazh të publikuar në ueb-faqen “airforce-technology.com” me datë 18 prill 2022. (shih këtu)
Në përshkrimin e kësaj fotografi të publikuar nga ueb-faqja amerikane shkruan: “Pushka e shënjestruar nga skuadra është testuar në një poligon në bazën ajrore Robins, Xhorxhia. Kredia: Foto e Forcave Ajrore të SHBA nga Shaun Ferguson”.
Analiza:
Faqja “Gazeta Aktuale” ka publikuar një fotografi të shkrepur në vitin 2022 në një bazë ajrore në SHBA, me anë të së cilës pretendohet rrejshëm se me atë armë nga po ai pozicion, Policia e Kosovës ka vrarë 4 sulmues serbë gjatë aksionit të ditës së diel në veri të Kosovës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.