info@hibrid.info
Gratë: të dhunuara fizikisht dhe online
shape
shape
shape

Një ditë pas protestës së mbajtur në Prishtinë (më 15 prill) kundër dhunës ndaj grave, protestë kjo që erdhi si pasojë e vrasjes më 12 prill në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj të 21-vjeçares Erona Cokli nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, 36-vjeçari Valon Aliu, nga Peja erdhi lajmi tjetër i rëndë.

Edhe atje, mëngjesin e 16 prillit, Xhyljeta Ukella mbeti e vrarë dhe i dyshuar kryesor për këtë akt është burri i saj, Edmond Lajqi.

Vetëm katër ditë i patën ndërmjet këto dy ngjarje të rënda që e tronditën vendin, dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shpalli ditë zie të mërkurën e 17 prillit.

Institucionet e drejtësisë dolën nëpër konferenca e lëshuan komunikata, duke treguar se sa punë kanë kryer për mbrojtjen dhe sigurinë e grave në vend. Por, shoqëria civile nuk u pajtua me njeriun e dytë të Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili në ditën e vrasjes së Xhyljeta Ukellës publikoi një postim në Facebook për të treguar punët që, sipas tij, i ka kryer ministrja Albulena Haxhiu gjatë tri viteve në qeveri në adresimin e dhunës në familje dhe në bazë gjinore.

Ai listoi 29 punë që janë kryer gjatë kësaj kohe, mirëpo Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), nuk u pajtua me pretendimet e Sallahut.

IKD tha se Sallahu në postimin e tij, “rrejshëm ka listuar shumë aktivitete” që nuk kanë qenë pjesë e MD-së, dhe se ka bërë politikë “duke përdorur gratë e vrara”. Krejt këtë, IKD-ja thotë se Sallahu e bëri për t’i ikur përgjegjësisë.

Ndërkaq, kritika gjyqësorit i janë atribuuar së fundmi në lidhje me dënimet e buta që u shqiptohen dhunuesve, në shumicën e rasteve burra, pas dhunës së ushtruar në familje.

“AlbKings”, makthi i grave dhe vajzave shqiptare

Së fundmi është përpiluar një raport për dhunën në familje, apo të dhunës së burrave ndaj grave. Pjesë e këtij raporti ishte edhe gjyqtarja Selvete Gërxhaliu – Krasniqi, e cila deklaron se në Kosovë ka femicid.

Mirëpo, sikur kjo të mjaftonte, në mesin e shumë sfidave me të cilat përballen, gratë në Kosovë patën edhe një betejë e cila u ishte kthyer në makth muajve të fundit.

Fjala është për një grup në rrjetin social “Telegram” me mbi 100 mijë anëtarë të cilët shkëmbenin mes vete fotografi e video intime të personazheve jopublike e publike shqiptare, e në shumë raste edhe vajza të mitura, duke cenuar kështu skajshmërisht privatësinë e tyre.

Policia i ishte vënë pas këtij grupi dhe kishte arritur që ta mbyllte të njëjtin javë më parë, ndërsa më 17 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi për arrestimin e një prej udhëheqësve të grupit famëkeq, “AlbKings”.

Arrestimin e tij e përshëndeti e para e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se “secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë”.

Në atë grup, shpeshherë bëheshin edhe manipulime digjitale të fotove dhe videove duke tentuar të denigrojnë ose shantazhojnë figura publike.

Ndër viktimat e këtij grupi ishin edhe gazetaret. Valmira Vranovci, redaktorja e “Gazetës Insajderi”, ka treguar se ajo dhe koleget e saj janë përballur me kërcënime dhe shantazhe nga menaxherët e grupit në fjalë.

“Na kanë marrë fotot tona publike nga Facebook, na kanë qit në grup, janë mundu të na zhveshin në forma të ndryshme me montazha. Njëri që ka thënë se është administrator i grupit, shkruante se ‘kena me iu vendos bomba e me iu çu në ajër pse keni shkru për neve’”, ka thënë ajo.

Ministrja Haxhiu, në postimin e saj në Facebook, pas arrestimit të një prej administratorëve të grupit famëkeq,  tha se “dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona. Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje”, ka shkruar Haxhiu.

Se shpërndarja e fotografive dhe videove intime e private nëpër rrjete sociale mund të çojë në vetëvrasje, e dëshmon rasti i ndodhur kohë më parë në Shqipëri, kur një 27-vjeçare, nënë e një vajze 2-vjeçe, u hodh nga kati i katërt i një ndërtese në Kamzë të Tiranës.

Një shqetësim tjetër i cili shpërfaqet sa herë kemi të bëjmë me femicid, është ai i “armatës” online, armatë kjo e përbërë kryesisht nga burra të cilët në shumë raste, fajin e hedhin te viktimat femra.

Erblin Ajdini, aktivist, feminist i majtë, është shprehur i shqetësuar për miratimin që u bëhet vrasjeve të grave nga ana e burrave, nëpër komente në rrjete sociale në internet.

“Kjo më jep sinjal për një pasiguri, për mënyrën se si secili individ e sheh si mendim të lirë, edhe kur flet për dhunën. Nuk është vetëm e bezdisshme, por edhe e frikshme”.

Reagim për komentet online pati edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili kërkoi nga organet e sigurisë dhe të ndjekjes që të monitorojë dhe të marrin masa për të shmangur çdo koment që përmban gjuhë që përhap apo nxit urrejtje.

Për 14 vjet (2010 – prill 2024), në Kosovë janë vrarë 57 gra. Sipas raporteve policore, llogariten me mijëra gra në baza vjetore si viktima të dhunës në familje.

Në nivel global, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se rreth 48.800 gra dhe vajza janë vrarë gjatë vitit 2022 nga partnerët e tyre intimë apo anëtarë tjerë të familjes.

Artikull analitik nga Agon Osmani

Ky publikim është financuar/bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Action for Democractic Society dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. 

Ky publikim është mbështetur nga CFI – Développment Médias. E gjithë autonomia nga CFI u ruajt në krijimin e kësaj përmbajtjeje.

Share With Others

Translate »