Shkroi: Etrit Rexhepi
Një llogari në TikTok me emrin “albinkurti_kryeminister” ka publikuar sot (12 prill) një video-material, ku shfaqet imazhi i kryetarit të Partia Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj.
Imazhi duket se është shkëputur nga një video-material të publikuar në kanalin zyrtar të “RTV Dukagjini” në Youtube me titullin e shfaqur “Habit Dardan Molliqaj: Jam me Albin Kurtin”.
Por, pas kontrollit të video-materialit të “RTV Dukagjini”, hibrid.info ka gjetur se videoja në fjalë është e titulluar “Habit Dardan Molliqaj: Jam me Albin Kurtin nëse s’e bën Asociacionin”, çka dëshmon për ndërhyrjet në imazhin e shkëputur tek pjesa e titullit (shih këtu).
Në bazë të komenteve në video-materialin në TikTok, hibrid.info vlerëson se ndërhyrja në këtë rast, nuk e paraqet të plotë dhe i jep kuptim tjetër deklaratës së Molliqajt.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “albinkurti_kryeminister”:
https://www.tiktok.com/@albinkurti_kryeminister/photo/7356737702253022469


Screenshot nga video-materiali i publikuar në kanalin zyrtar të televizonit Dukagjini
Përderisa në video-materialin e publikuar vërehet ndërhyrja, hibrid.info ka gjetur se edhe në përmbajtjen e video-materialit autentik nuk pasqyrohet deklarata e kryetarit të PSD-së.
Hibrid.info ka hasur në një video-material tjetër nga kanali zyrtar i “RTV Dukagjini” në Youtube, ku është paraqitur deklarata e Molliqajt, e cila në këtë rast i korrespondon edhe titullit të videos (shih këtu).
Pas verifikimit të përmbajtjes, është vërtetuar se lideri i PSD-së ka deklaruar se do ta mbështesë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në rast se shpall referendum për çështjen e Asociacionit të Komunave serbe.
Analiza:
Deklarata e kryetarit të PSD-së në një fotografi, nuk është paraqitur e plotë.
Hibrid.info ka vërtetuar se në imazhin e shkëputur nga video-materiali autentik është ndërhyrë duke i ndërruar kuptimin deklaratës së liderit të PSD-së.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.