info@hibrid.info
Insight Analyze: Identifikues i lajmeve me tituj mashtrues
shape
shape
shape

Sfida për të dalluar lajmet e vërteta nga ato mashtruese, sidomos në titujt e tyre, është bërë më e madhe se kurrë. Andaj, për të adresuar këtë problem, nga HibridLAB lansohet platforma e re Insight Analyze (CheckClickbait.info), e cila synon të ndihmojë përdoruesit t’i identifikojnë dhe shmangin lajmet me tituj tërheqës, por të pavërtetë.

Insight Analyze është një aplikacion i bazuar në Inteligjencë artificiale, i krijuar për të analizuar dhe vlerësuar artikujt e ndryshëm, duke identifikuar nëse ato janë “clickbait” – tituj që synojnë të tërheqin klikime përmes informacionit të ekzagjeruar, ose mashtrues. Përdoruesit mund të fusin në platformë çfarëdolloj linku të lajmit që ata hasin dhe të marrin një analizë të shpejtë dhe të detajuar mbi besueshmërinë e informacionit që janë duke lexuar.

Ky aplikacion përdorë algoritme të avancuara të përpunimit të gjuhës për të analizuar strukturën dhe përmbajtjen e titullit, në krahasim me përmbajtjen e artikullit, gjeolokacionin, si dhe kohën e publikimit. Duke krahasuar këtë përmbajtje me modele të njohura të “clickbait”, ajo ofron një vlerësim mbi probabilitetin që titulli të jetë mashtrues. Kjo i lejon përdoruesit të jenë më të kujdesshëm ndaj përmbajtjeve që mund të jenë të pabaza ose të ekzagjeruara.

Në raportin e fundit vjetor të Hibrid.info Prapa Ekraneve, në bazë të metodologjisë së vlerësimit dhe statistikave të grumbulluar forma e keqinformimit e kategorisë “Clickbait” në infosferën digjitale të Kosovës ka dalë të jetë më e përhapura, dhe e cila kërkon intervenim dhe trajtim të shpejtë në mënyrë që audienca të mos bie pre e kësaj forme të keqinformimit. Andaj, në qëllimet dhe procesin e punës së HibridLAB, është vlerësuar tejet i nevojshëm krijimi i këtij aplikacioni i bazuar në Inteligjencë Artificiale, e i cili si bazë ka databazën e krijuar prej vitesh nga Hibrid.info dhe përdor metodologjinë strikte të vlerësimit të Hibrid.info, e pranuar dhe certifikuar nga Rrjetet Ndërkombëtare të Kontrolluesve të Fakteve.     

Platforma Insight Analyze synon të jetë një mjet i vlefshëm në luftën kundër çrregullimit informativ, duke fuqizuar qytetarët me aftësinë për të verifikuar lajmet që konsumojnë.

Përdorimi i platformës është i thjeshtë. Mjafton të vizitoni faqen zyrtare Insight Analyze (https://checkclickbait.info/) dhe të fusni titullin e lajmit që dëshironi të analizoni. Brenda pak sekondash, do të merrni një raport të detajuar mbi besueshmërinë e artikullit, duke ju ndihmuar të merrni vendime më të informuara mbi përmbajtjen që lexoni dhe shpërndani.

Për mënyrën më të detajuar të përdorimit të këtij Aplikacioni, mund ta shfletoni këtë Manual të Përdorimit.

Ky është një version demo dhe ne do ta vlerësonim shumë angazhimin dhe komentet tuaja. Nëse hasni ndonjë problem, ju lutemi na njoftoni që të mund të përmirësojmë përvojën tuaj.

Ndërtuesit e këtij aplikacioni për HibridLAB: Albin Hashani dhe Anisa Morina.

Share With Others

Translate »