Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një imazh ku shihet Donald Trump, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), me mbishkrimin që pretendon se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndahet me mur.
Kjo fotografi është publikuar sot (12 nëntor) në faqen në Facebook, të mediumit në gjuhën shqipe “NTV Televizion”, me tekstin “Kufiri ndahet me mur/ Propozimi i Donald Trump për vijën administrative Kosovë – Serbi”.
Imazhit i është bashkëngjitur edhe artikulli nga portali i këtij mediumi, me të njëjtin titull.
Në ndërkohë, Hibrid.info ka vënë re se imazhi dhe artikulli janë hequr pas botimit.
Por, cila është e vërteta e këtij pretendimi?
Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë propozim zyrtar nga presidenti i zgjedhur për vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çfarë pretendohet në përmbajtjen e trajtuar.

Hibrid.info ka kontrolluar brendësinë e artikullit të publikuar në portalin “ntv.al”, ku në hyrje të tij tregohet se bëhet fjalë për një deklaratë të Tvërtko Jakovina (Tvrtko Jakovina), profesorit të Fakultetit Filozofik në Zagreb, i cili ka shprehur opinionin e tij për fatin e rajonit të Ballkanit Perëndimor pas zgjedhjes se Trumpit si president.
Kreu i artikullit të publikuar në mediumin “ntv.al”
“Profesori i Fakultetit Filozofik në Zagreb, historiani Tvrtko Jakovina vlerësoi se bota mund të presë që presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump të jetë i ngjashëm si në mandatin e tij të parë, kurse persa i përket rajonit tonë, ai vlerësoi se varet se kush do të jetë në Departamentin e Shtetit”.
Pas kontrollit të artikullit në tërësi, është vërtetuar se përmbajtja, ndryshe nga titulli, nuk përmban temën që pretendon se presidenti Trump ka dhënë një propozim për ndarjen me mur të kufirit Kosovë – Serbi.
Po ashtu, një deklarim për një propozim të tillë nga presidenti Trump, nuk ka ardhur as nga profesori Jakovina, që është subjekt në këtë artikull.
Citati i drejtpërdrejtë i Tvërtko Jakovina:
“Nëse do të jenë disa nga njerëzit që ne i njohim, atëherë ndoshta mund të presim propozime të njohura e të vjetëruara, një prej të cilave mund te ishte ndarja e Kosovës, e cila mund të shkaktojë shumë probleme të tjera zingjir në Evropë në përgjithësi, sepse është heqje dorë nga një parim që ekziston dhe mund të lidhet disi me Ukrainën, me ndarjen e territoreve atje, nëse lufta do të përfundojë shpejt siç ishte premtuar”.
Pas kërkimit manual, është gjetur se artikulli origjinal është publikuar në mediumin në gjuhën serbe, “n1info.rs”, i cili është gjetur i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, publikuar nga mediumi “telegrafi.com”, me titull, “Profesori universitar kroat: Me kthimin e Trump mund të presim propozime të vjetra, siç është ndarja e Kosovës”.
President aktual i ShBA-së, është Joe Biden. Trump do ta marrë detyrën si presidenti i 47-të i ShBA-së më 20 janar, 2025. Ai fitoi shumicën në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Analiza:
Pretendimi se Trumpi ka propozuar ndarjen me mur të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i pasaktë.
Një propozim i tillë nuk ka ardhur zyrtarisht nga Trumpi, siç pretendohet nga media ntv.al, dhe përmbajtja e artikullit nuk korrespondon me temën e titullit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.