info@hibrid.info
Keqinformimi në vitin 2024: Zgjedhjet dhe sondazhet
shape
shape
shape

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Në vitin 2024, çështja e zgjedhjeve ka qenë një prej temave për të cilën u keqinformua më së shumti në ekosistemin informativ në gjuhën shqipe. Kjo ndodhi kryesisht në pjesën e dytë të vitit, pasi presidentja Vjosa Osmani njoftoi se e ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë të zgjedhjeve parlamentare. Vendimin ajo e bëri të ditur më 16 gusht.

Bazuar në raportet mujore të hibrid.info mbi monitorimin e keqinformimit, del se nga qershori kjo temë ka nisur të zërë vazhdimisht e më shumë hapësirë në mesin e përmbajtjeve keqinformuese.

Pas analizës së bërë vazhdimisht nga hibrid.info, është vënë re edhe fenomeni i hapjes së llogarive në rrjete sociale në mbështetje të kandidatëve për kryeministër (shih analizën për faqet me emrat e Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës)


Në muajin qershor, të gjitha përmbajtjet keqinformuese që ndërlidheshin me tematikën e zgjedhjeve u vlerësuan si lajme të rreme. Ato publikoheshin kryesisht në media sociale. Ndër lajmet e rreme u pretendua se ambasadori amerikan mbështet Bedri Hamzën për kryeministër, se LDK-ja po shqyrton mundësinë për koalicion me PDK-në dhe u publikua një sondazhi i manipuluar për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Në media është publikuar një artikull me pretendimin e rremë se gjatë muajit qershor është realizuar një sondazh nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), e që pasqyron përkrahjen e qytetarëve për partitë politike në Kosovë (Shih raportin e muajit qershor).

Trendi vazhdoi në të gjithë muajt pasues. Në korrik ishte tema e dytë që u shfrytëzua më së shumti për keqinformime e në gusht e pesta. Hibrid.info pati publikuar edhe një analizë në të cilën theksohej trendi rritës i përmbajtjeve keqinformuese lidhur me zgjedhjet. Kjo bëhej kryesisht duke manipuluar me sondazhe të vjetra, sondazhe të rreme apo edhe deklarata të pathëna nga zyrtarët publike.

shtator pretendime të rreme për sondazhe zgjedhore janë publikuar nga faqe dhe llogari në media sociale (Facebook dhe Tiktok). Këto pretendime për sondazhe zgjedhore nga fusha e politikës janë vlerësuar si lajme të rreme, mashtrim/lajm i rremë dhe mashtrim. Gjatë shtatorit pati Exit-Polli për zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Ferizaj u paraqit rrejshëm si sondazh për zgjedhjet e vitit 2025. Po ashtu, u publikua një sondazh i rremë për zgjedhjet parlamentare, si dhe një sondazh i partive britanike që u paraqit rrejshëm si i partive të Kosovës.

Në raportin monitorues të keqinformatave në tetor, 18 për qind e përmbajtjeve të trajtuara lidheshin me zgjedhjet dhe sondazhet zgjedhore. Sa i përket sondazheve pati lajme të rreme, por edhe manipulime të fakteve. Publikimet u bënë kryesisht në media sociale, me theks të veçantë në TikTok. Ndër publikimet keqinformuese ishin sondazhe të pasakta dhe pretendime të rreme për ndarje deputetësh.

Nëntori po ashtu u shqua me dominim të temës për zgjedhjet dhe sondazhet zgjedhore. Të gjitha përmbajtjet keqinformuese për zgjedhjet u publikuan në media sociale. Ndër pretendimet keqinformuese ishin deklarata e vjetër e Armend Mujës për dominimin e PDK-së në fushatë; ajo se Sami Lushtaku do të jetë kandidat për president dhe pretendimi se një gjeneral amerikan e ka lavdëruar Kurtin për ballafaqimin me ndikimin rus e se Ramush Haradinaj propozoi marrëveshje me LDK-në, PDK-në dhe Listën Serbe.

Në muajt e fundit të vitit, TikToku si platformë përjetoi rritje në përhapje të keqinformatave, e një hapësirë të madhe aty e zuri çështja e zgjedhjeve.

Share With Others

Translate »