Shkroi: Etrit Rexhepi
Një llogari në TikTok me emrin “kadrikingkrasniqi” ka publikuar (15 prill) një imazh ku shfaqet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Fotografia është marrë nga portali “indeksonline.net” dhe mban mbishkrimin që pretendon se ish-presidenti Thaçi ndodhet në Kosovë.
Por, pas verifikimit të fakteve, është gjetur se lajmi për ardhjen e Thaçit në Kosovë është i vjetër, ndërsa nuk ka konfirmim zyrtar se ky i fundit ndodhej në Kosovë në momentin e publikimit të imazhit nga llogaria në fjalë.
Vegëza e video-materialit të publikuar nga llogaria “kadrikingkrasniqi” në TikTok:

Materiali i publikuar ka marrë mbi 11 mijë shikime deri në momentin e trajtimit. (shih fotografinë më poshtë)

Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinave të kërkimit dhe ka gjetur se imazhi i marrë nga “indeksonline”, ishte publikuar në faqen e këtij portali, më 29 maj të vitit 2023 (shih këtu).

Po ashtu në njoftimet e fundit të publikuara nga ueb-faqja e Dhomave të specializuara dhe Zyres së Prokurorit Special në Hagë, aty ku po mbahet i paraburgosur ish-presidenti, Hashim Thaçi, nuk ka konfirmim për ardhjen e tij në Kosovë. (shih këtu)
Hera e fundit kur Thaçit i ishte lejuar ardhja në Kosovë, ishte me datë 2 shtator të vitit të kaluar, për arsye bindëse humanitare, siç thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (shih këtu).
Ndërsa me anë të makinës së kërkimit “Google”, artikuj e fundit me informata rreth Thaçit, të publikuar në dy ditët e fundit janë ato që lidhen me vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Hagë (këtu) dhe vendimi për vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit në Hagë (këtu).
Analiza:
Pretendimi për ardhjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë, nuk është i vërtetë.
Imazhi i publikuar me mbishkrimin që njofton ardhjen e tij, është publikim i vjetër.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.