Faqet në Facebook “Exclusive Albania Today” dhe “Feja Ime” kanë publikuar dje (9 prill) një artikull me titull “Dy tërmeteve të reja 6.4 ballë në Turqi, raportohet për të vdekur dhe qindra të Iënduar”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër që ka të bëjë me tërmetet e datës 20 shkurt që goditën provincën jugore Hatay në Turqi.
Pra, faqet e lartcekura kanë publikuar këtë lajm të vjetër me pretendimin ta paraqesin si aktual.
Vegëzat e artikullit të publikuar në Facebook nga faqet “Exlusive Albania Today” dhe “Feja Ime”:
Faqet e lartcekura, artikullin e postuar e kanë marr nga portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “freshnews213.com” të publikuar me datë 21 shkurt. (shih këtu)
Në përmbajtje të këtij artikulli citohet portali “Sinjali.com”, i cili këtë artikull e kishte publikuar në kohë reale (20 shkurt). (shih këtu)
Kjo nuk është hera e parë që ky artikull publikohet si aktual nga faqet e lartcekura, pasi i njëjti është postuar edhe me datë 11 mars, e që po ashtu është verifikuar nga hibrid.info. (shih këtu)
Analiza:
Në bazë të verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se faqet e lartcekura në Facebook kanë publikuar me datë 9 prill një artikull të vjetër (20 shkurt) në lidhje me dy tërmete që kishin goditur provincën Hatay në Turqi.
Këto faqe kanë publikuar këtë lajm të vjetër me pretendimin ta paraqesin si aktual. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.