Një artikull i botuar në portalin informues serb “Alo.rs” (8 prill), pretendon pa fakte se “organizatat ndërkombëtare po paralajmërojnë rritjen e ekstremizmit në Kosovë dhe të atyre që përkrahin këtë ide”.
Ky artikull me titull “Xhihaditstët e rrezikshëm kërcënojnë popullin tonë (serbët) në Kosovë! Shqiptarët sulmojnë Serbët”, pretendimin e bazon në një sulm që supozohet që ka ndodhur në veri të Mitrovicës, kur një i ri shqiptar ka sulmuar me thikë një të ri serb, dhe sipas burimeve të këtij mediumi, i riu shqiptar kishte bërtitur “Allahu Akbar” gjatë marrjes në pyetje në stacionin e Policisë.
Ndonëse, edhe vet autori i këtij artikulli pranon se një gjë e tillë nuk është bërë e ditur në raport të Policisë së Kosovës.
Pjesë të artikullit të Alo.rs të përkthyera në shqip:
“Studime të shumta nga organizatat përkatëse ndërkombëtare paralajmërojnë rritje të ekstremizmit në provincën jugore serbe si dhe rritje të atyre që mbështesin këtë ideologji.
Publiku nuk është në dijeni të faktit që në fund të Shkurtit, një shqiptar nga Mitrovica sulmoi një të ri serb me thikë dhe se gjatë marrjes në pyetje ai bërtiti “Allahu Akbar” dhe iu referua organizatave terroriste Al Kaeda dhe Al Nusra duke luftuar në Lindjen e Mesme. Kjo pjesë u hoq nga raporti i të ashtuquajturës Policia e Kosovës, por informacioni arriti të rrjedhë falë burimeve të mirëinformuara që janë të njohur me detajet e seancës. – Një burrë me kombësi shqiptare A. Sh (24), i cili sulmoi një të ri serb MM (26) një muaj e gjysmë më parë pranë Shkollës Teknike në veri të Mitrovicës së Kosovës, shumë shpejt u arrestua nën dyshimin për kryerjen e krimit të vrasje në tentativë. Ai thirri “Allahu Akbar” në seancë dhe kërcënoi përmes Al Kaida-s, Al Nusra-s dhe organizatave të tjera terroriste, thotë burimi”.
Vegëza e artikullit të publikuar në “Alo.rs”:
Nga kjo përmbajtje, shihet se tendenca për ta argumentuar pretendimin se gjoja i riu shqiptar ka bërtitur “Allahu Akbar” dhe se ka kërcënuar përmes organizatave terroriste, është bërë vetëm nga një burim brenda policisë. Por tutje në përmbajtje, pranohet fakti se të dhënat zyrtare nuk e argumentojnë këtë, përfshi edhe raporti i Policisë së Kosovës.
Disa media kosovare kanë raportuar për këtë rast, bazuar në një raport të policisë dhe në burime, mirëpo në asnjë moment nuk është përmendur se sulmuesi ka lidhje me grupe terroriste.
Vegëzat e raporteve të mediave kosovare, lidhur me rastin:
https://sinjali.com/nje-person-sulmon-me-thike-tre-serb-ne-mitrovice-te-veriut/
https://www.syri-vision.tv/nje-shqiptar-sulmon-me-thike-tre-serb-ne-mitrovice-te-veriut/
Për ta ndërtuar pretendimin e bërë në artikull të publikuar në “Alo.rs”, autori thirret edhe në disa raporte të vjetra të një organizate për studime të sigurisë me seli në Beograd “Qendra për Studime të Sigurisë”, por të cilat nuk i citon fare.
“Hulumtimet e mëparshme nga Qendra për Studime të Sigurisë tregojnë se rreziku i terrorizmit vije nga ata që nuk kanë luftuar kurrë në luftë, por edhe ata që kanë qenë në fushat e betejës ku vepron ISIS. Numri i atyre që shkojnë në Siri përmes kanaleve të ndryshme gjatë vitit të fundit po rritet. Ata rekrutohen në Kosovë dhe Metohi nga hoxhallarë të radikalizuar, por edhe nga individë të tjerë”.
Siç mund të vërehet nga ky citat, bëhet fjalë për kohen kur kishte rekrutime të të rinjve kosovarë në grupet militante në Lindje të Mesme, dhe jo për vitet e fundit, siç pretendohet në titull dhe përmbajtje të artikullit.
Në fakt, raportet e mëhershme (vite më parë) nga organizatat për studime të sigurisë, e kanë paraqitur si kërcënim të sigurisë përfshirjen e kosovarëve në luftërat e shteteve të Lindjes së Mesme, por jo edhe në tre vitet e fundit. Sipas një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) të publikuar në tetor të vitit 2018, thuhet se të kthyerit nga luftërat e Lindjes së Mesme, paraqesin një rrezik fare të vogël, gjë që bije në kundërshtim me pretendimin e artikullit të Alo.rs.
Pjesë nga konkluzioni i raportit “Përtej Shkaktarëve: Rreziqet e reja të Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë”, të përgatitur nga QKSS: (Shiko këtu)
“Deri më tani, shumica e luftëtarëve të huaj të Kosovës, që u kthyen pas luftimeve me IS, janë duke u gjykuar ose janë dënuar për angazhimin e tyre në aktivitete terroriste. Përkundër numrit të madh të luftëtarëve të huaj të kthyer në Kosovë, angazhimi i tyre në veprimtarinë terroriste është relativisht i ultë. Nga 135 luftëtarët e huaj që u kthyen në Kosovë pas ndarjes me IS në Siri dhe Irak, 5 nga ta u përfshinë në planifikimin e sulmeve terroriste ose në incidente të tjera në Kosovë”.
Analiza:
Ky artikull i publikuar nga “Alo.rs” vërehet qartë se ka tendencë që të shtrembërojë faktet, për ta paraqitur një realitet të ri. Gjithashtu, pretendimet e bëra, nuk i bazojnë në asnjë referencë të vetme, por të gjitha janë të përfolura, duke devijuar burimet. Për këtë arsye, ky artikull vlerësohet nga hibrid.info si “Teori konspirative”.
Vlerësimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.