info@hibrid.info
Narrativa dezinformuese e gazetave serbe: “Ngjarja ishte inskenuar, fajtori është Kurti, po sulmohen serbët për ta përshpejtuar spastrimin e tyre”
shape
shape
shape

Në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës (PK), u sulmua nga një grup prej rreth 30 personash të armatosur, ku mbeti i vrarë Rreshteri Afrim Bunjaku, një tjetër zyrtar policor u plagos dhe një u lëndua. Nga ana tjetër, tre sulmues serbë u vranë, dhe disa prej tyre janë arrestuar.

Kjo ngjarje zuri hapësirë edhe në mediat në Serbi. Ato të afërta me pushtetin atje, ndërtuan një narrativë dezinformuese rreth sulmit.

Ballinat e gazetave të 25 shtatorit: “Frytet e përgjakshme të terrorit të Prishtinës”

Në ballinat e gazetave serbe të datës 25 shtator kryesisht u ndërtua narracioni se Policia e Kosovës, pas provokimit që kishte bërë, po vriste serbët në veri.

Në ballinën e gazetës “Informer” shkruante: “Gjaku është në duart e Kurtit, kryeministri i rremë i ‘Kosovës’ shkaktoi kaos”. (këtu)

Ndërsa, tabloidi “Alo” në ballinë shkruan: “Terroristët e Kurtit po vrasin serbët, përbindëshat dhe të plagosurit i lanë të vdisnin”, duke iu referuar audio-incizimit të rremë me pretendimin si bisedë e policëve të Kosovës për njërin nga sulmuesit e plagosur serb, të cilin edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e përdori në konferencën për media. (këtu, këtu)

Gazeta e përditshme “Vecernji Novosti” në ballinën e saj shkruante: “Kosova në prag të luftës, frytet e përgjakshme të terrorit të Prishtinës”, duke fajësuar Prishtinën zyrtare për rastin e ndodhur në Banjskë të Zveçanit. (këtu)

“Kurir” lidhur me ngjarjen në ballinën e saj ka vendosur kryetitullin: “Fuçi baruti, përgjigje ndaj çdo fitoreje diplomatike të Serbisë, sulmi i Kurtit ndaj serbëve”. (këtu)

Një retorikë të ngjashme në konferencën e mbrëmshme për media e ka përdorur edhe vetë Presidenti serb, Vuçiq, i cili e ka akuzuar Albin Kurtin dhe një pjesë të komunitetit ndërkombëtar për ngjarjet në veri të Kosovës.

Ai e arsyetoi veprimin e serbëve duke thënë se “nuk duan të vuajnë më terrorin e Kurtit”. (këtu)

Narrativa dezinformuese e mediave serbe të afërta me pushtetin atje, vazhdoi edhe ditën pasuese, me të njëjtin ritëm akuzues, duke i qëndruar afër narratives zyrtare të Qeverisë së Serbisë.

Ballinat e gazetave të 26 shtatorit: “Ngjarja e inskenuar nga Kurti për ta përshpejtuar spastrimin etnik të serbëve

Në  ballinat e gazetave të ditës së 26 shtatorit kryesisht është krijuar narrativi se Kurti po kërkon më shumë gjak, dhe se po kërcënon se do t’i ndjekë deri në fund serbët që janë kundër integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Informer” në ballinën e datës 26 shator shkruan se “Vazhdon terrori ndaj serbëve në Kosovë, Kurti kërkon më shumë gjak”, duke pretenduar rrejshëm se Kurti njoftoi se “do t’i ndjekë deri në fund” serbët që janë kundër integritetit dhe sovranitetit të Kosovës. (këtu)

Të njëjtin pretendim dezinformues e ka publikuar edhe tabloidi “Alo” në ballinën e saj me 26 shtator. (këtu)

E përditshmja “Vecernji Novosti” në ballinën e 26 shtatorit shkruan: “Kurti e plotësoj planin, ai e shpalli veriun rajon terrorist”, duke krijuar narrativin dezinformues se nëpërmjet kësaj Kurtit do t’i mundësohet që t’i godasë serbët pa ndonjë arsye. (këtu)

Gazeta “Blic” e datës 26 shtatorit, e krijon narrativin dezinformues duke e ndërlidh me, siç pretendojnë, përshpejtimin e spastrimi etnik të serbëve. Në ballinë shkruan: “Akti i fundit, Kurti përshpejton spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”. (këtu)

Ndërsa, “Srpski Telegraf” pretendon rrejshëm se çdo gjë ishte e planifikuar nga Kurti. Në kryeartikullin e datës 26 shtator, “Srpski Telegraf” shkruan: “Gjithçka ishte e inskenuar”. (këtu)

“Kurir” e ndërlidh ngjarjen me burimin e dhunës dhe përfituesin e saj, duke e bërë Kurtin fajtor të vetëm për gjithë kaosin në Kosovë. (këtu)

Share With Others

Translate »