info@hibrid.info
Narrativi dezinformues për incidente “të motivuara etnikisht”
shape
shape
shape

Në kuadër të narrativave dezinformuese të mediave në gjuhën serbe dhe institucioneve e subjekteve politike serbe zë vend edhe interpretimi i incidenteve që ndodhin kryesisht në vendbanime me shumicë serbe si të “motivuara etnikisht”.

Incidentet e ndryshme që kanë të bëjnë me dëmtimin e varrezave, sulme, grabitje të objekteve fetare etj., institucionet si, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë më në krye drejtorin Petar Petkoviq dhe subjekti politik i komunitetit serb në Kosovë, “Lista Serbe”, mundohen t’i paraqesin si incidente që rrjedhin si pasojë e urrejtjes ndëretnike. Me këtë rast, ky narracion dezinformues ndërtohet mbi parimin e viktimizimit të komunitetit serb në Kosovë.

Në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është publikuar lista e, siç e quajnë ata, incidenteve me motive etnike ndaj serbëve, ku për muajin janar të vitit 2023, pretendohet se Stefan Tomiq (18) nga Kllokoti është rrahur nga një grup shqiptarësh ditën e Krishtlindjes teksa po kthehej nga liturgjia e Kishës. Megjithatë, është vështirë të vërtetohet pretendimi se Stafan Tomiq është rrahur nga shqiptarët me motive etnike, për faktin se Policia e Kosovës nuk ka arritur të identifikojë të dyshuarit e mundshëm. Po ashtu babai i viktimës ka refuzuar që ta identifikoj incidentin si sulm etnik.

Rasti i spërkatjes më ngjyrë muri të figurës së tenistit serb, Novak Gjokoviq (shkurt 2023), që gjendet si mural në Lagjen e Epërme të Rahovecit, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e interpretoi si veprim i motivuar etnikisht edhe pse banorët u deklaruan se nuk e dinë se kush e ka kryer këtë vepër.

Dëmtimet e disa objekteve fetare ortodokse serbe në Kosovë, institucionet përkatëse serbe mundohen që këto raste t’i paraqesin si veprime me karakter etnik e fetar. Më 14 shkurt të vitit 2022, Ipeshkvia e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ngritin pretendim se incidentet e bëra në objektet fetare ortodokse në Kosovë bëhen me motive etnike e fetare. Por, këtë pretendim, këto dy institucione nuk e bazojnë në asnjë fakt.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, herë pas here mundohet të krijojë narracionin se në Kosovë është rritur numri i incidenteve ndëretnike, që kanë shënjestër serbët. Por te pjesa argumentuese, institucioni në fjalë vendos dëmtimin e varrezave të ndryshme për të cilat nuk dihet kryesi i veprës dhe rrethanat e dëmtimit. Hibrid.info ka trajtuar rastin e dëmtimit të varrezave serbe në Kishnicë të Graçanicës (dhjetor 2021), ku Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e konsideron këtë veprim si të motivuar etnikisht edhe pse Policia e Kosovës nuk ka ofruar informacione rreth rastit; si dhe rastin e dëmtimit të një varri në varrezat serbe në Kllokot (tetor 2022) ku Zyra për Kosovën e interpreton pa fakte se “shqiptarët të shtyrë nga urrejtja ndëretnike” e kanë bërë këtë veprim, edhe pse në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se familjarët e të ndjerit që i është dëmtuar varri, nuk  dyshojnë në askënd në lidhje me ngjarjen.

Edhe rastet kur kemi të bëjmë me sulme fizike për mosmarrëveshje të ndryshme që ndodhin, Zyra për Kosovën i interpreton si veprim me karakter ndëretnik siç ishte rasti i sulmit ndaj dy pjesëtarëve të komunitetit serb në Babimoc (dhjetor 2022). Rastin në fjalë, raporti i Policisë dhe deklaratat e banorëve të fshatit vlerësojnë se rasti ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje çasti dhe se sulmuesit janë shkaktar të problemeve në fshat; si dhe rasti i sulmit të një banori serb në Runik të Skënderajt (janar 2022), ku subjekti politik serb “Lista Serbe” e cilësoi me karakter ndëretnik, edhe pse Policia e Kosovës e vlerësoi si incident për zënka personale.

Përkundër se në incidentet që ndodhin në këto rajone, asnjëherë nuk janë paraqitur fakte që dëshmojnë se ato, janë të motivuara etnikisht, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me drejtorin e saj në krye, Petar Petkoviq, subjekti politik serb, “Lista Serbe” dhe institucionet përkatëse në raste specifike (Ipeshkvia në rastin e Kishave), e krijojnë narracionin se këto incidente bëhen nga “shqiptarët të shtyrë nga urrejtja ndëretnike”.

Share With Others

Translate »