info@hibrid.info
Narrativi mbi zbatimin e marrëveshjes së dokumenteve në mediat serbe nga “tensionim” në “situatë e qetë”
shape
shape
shape

Analizë nga Festim Rizanaj

Kosova dhe Serbia ditë më parë kanë arritur marrëveshje për çështjen e letërnjoftimeve. Serbia do t’i njohë letërnjoftimet e Kosovës dhe s’do të lëshojë më letra për hyrje-dalje. Të njëjtën do ta bëjë edhe Kosova, ku vendimi do të vlejë edhe për serbët që jetojnë në veri të Republikës së Kosovës.

Derisa për zgjidhjen e punës së targave është caktuar një periudhë kohore prej dy muajve për të gjetur një zgjidhje. Nga Brukseli janë shprehur optimist për gjetjen e një zgjidhje edhe për tabelat e makinave.

Prej ditësh në veri të vendit janë duke qëndruar edhe forca shtesë të KFOR-it amerikan.

Meqenëse ishte paraparë që zbatimin i marrëveshjes për njohjen e letërnjoftimeve të fillonte së zbatuari sot (1 shtator) mediat e afërta me pushtetin në Serbi, dje kanë qëndruar në pjesën veriore të Kosovës dhe kanë raportuar për situatën aty.

Konteksti i raportimit të mediave serbe ishte i bazuar kryesisht në tensionim të situatës, duke vënë theksin te Policia e Kosovës dhe frika e serbëve.

E përditshmja serbe “Novosti” dje (31 gusht) në orët e mëngjesit ka publikuar një artikull ku theksohet prezenca e madhe në veri e pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës me mjete të plota ushtarake të cilët po ndërtojnë fortifikime pranë vendkalimeve administrative, e që sipas gazetës, kjo po i shqetëson serbët dhe tregon synimet e Prishtinës. Sipas kontekstit tendencioz të gazetës, këto janë shenja që nesër (1 shtator) do të ketë probleme. (shih këtu)


Po ashtu, gazeta serbe “Novosti” dje (31 gusht) në orët e mesditës, ka publikuar një artikull tjetër ku, sipas gazetës, forcat e Policisë së Kosovës me pajisje të plota luftarake kanë arritur në Jarinjë, dhe se këto po shkaktojnë shqetësime tek populli serb. Në interpretimet tendencioze të gazetës thuhet se tensionet janë thuajse të dukshme, pavarësisht marrëveshjes së arritur për dokumentet personale dhe garancive të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë se paqja duhet të ruhet dhe se Prishtina nuk do të tërheqë zbatimin e njëanshëm të masës së targave. (shih këtu)

Narrativin në kontekst të tensionimin të situatës e përditshmja serbe e vazhdon duke publikuar një artikull dje (31 gusht) në mesditë, ku pretendon në mënyrë tendencioze duke e vënë theksin në tensionim të situatës në zonat e banuara me serb. (shih këtu)

Edhe pse e përditshmja serbe sot në mëngjes (1 shtator) ka publikuar artikullin ku interpretimi tendencioz i ekzistencës së tensioneve zë vend (shih këtu) , në artikullin e dytë të publikuar sot (1 shtator) vlerëson e gjendja në veri është e qetë. (shih këtu)

Pra, edhe pse dje të gjithë artikujt e të përditshmes “Novosti” përmbanin interpretimin në kontekst të tensionimit të situatës, sot kemi artikuj që e vlerësojnë situatën të qetë.


Narrativi në kontekst të tensionimi të situatës është pasqyruar edhe të përditshmet tjera serbe. Gazeta “Kurir” dje ka publikuar artikullin e gazetës “Novosti” duke interpretuar në kontekst të tensionimit të situatës dhe se nuk dihet se çka do të ndodh nesër. (shih këtu)

Ndërkaq, e përditshmja “Kurir” në dy artikuj të publikuar sot (1 shtator) vlerëson se situata është e qetë dhe gjithçka po zhvillohet normalisht ku, sipas gazetës, kemi një përforcim të forcave të KFOR-it në pikat administrative. (shih këtu, këtu)


Edhe e përditshmja e afërt me pushtetin “Informer” sot ka raportuar për situatë të qetë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bernjakë. (shih këtu, këtu)


Portali informativ “B92” dje (31 gusht) po ashtu ka publikuar artikullin e të përditshmes “Novosti” për shkuarjen e forcave të Policisë së Kosovës në Jarinjë, (shih këtu) ndërkaq sot ka publikuar dy artikuj ku vlerëson se situata është e qetë dhe normale. (shih këtu, këtu)


Komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari, dje ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes kur janë në pyetje lajmet dhe të mos jenë viktima të dezinformatave. Ai në një video në Twitter bëri thirrje që të kihet kujdes gjate leximi të lajmeve dhe informacioneve duke kërkuar burime tjera dhe duke i konfirmuar ato. (shih këtu)

Share With Others

Translate »