Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Kremlini zyrtar është munduar që të krijojë narrativin e vet për të legjitimuar intervenimin në Ukrainë. Shpeshherë edhe zyrtarët rusë por edhe mediat e afërta me pushtetin atje i janë referuar dhe vazhdojnë t’i referohen luftës së Kosovës për të krijuar paralele me agresionin në Ukrainë.
Paralelet dezinformuese përfshijnë krahasimet në mes masakrës së Buchas dhe Reçakut, transplantit të organeve dhe “Shtëpisë së Verdhë”, rastit të Krimesë dhe Kosovës, pjesëmarrjes së grupeve nga Kosova në luftën e Ukrainës etj.
Ndalja e një gjenocidi si në Kosovë
Pasi tanket dhe trupat ruse hynin në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin përdori shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë në vitet 1990 si justifikim për pushtimin e një vendi sovran evropian. Putin disa herë ka tërhequr një paralele midis konfliktit Serbi – Kosovë, dhe gadishullit të aneksuar të Krimesë, si dhe zonave të Ukrainës lindore të aneksuara gjithashtu nga Rusia.
Presidenti rus është veçanërisht i përqendruar në bombardimin e Serbisë nga NATO në vitin 1999 dhe mbështetjen perëndimore për pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Putin pretendon se të dyja këto gjëra përbëjnë një precedent kundër ligjit dhe rendit ndërkombëtar dhe që, sipas tij, i dhanë një justifikim për të pushtuar Ukrainën.
Ashtu siç NATO deklaroi në vitin 1999 se po parandalonte një gjenocid të afërt në Kosovë me bombardimin e saj 78-ditor të Serbisë, edhe ai donte t’i jepte fund një “gjenocidi” kundër pakicës ruse atje duke sulmuar Ukrainën. Në Kosovë, rreth 800,000 shqiptarë u dëbuan nga ushtria dhe paraushtarakët serbë në vendet fqinje (kryesisht në Shqipëri), siç përcaktuan më vonë gjykatat ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur. Gjenocidi i supozuar në Donbass dhe Luhansk të Ukrainës, nga ana tjetër, mbeti pa prova. (këtu)
Tre ditë para fillimit të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, presidenti rus Vladimir Putin njohu pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë, Donetsk dhe Lugansk, të njohura më mirë si Donbas.
Në përpjekje për të justifikuar këtë vendim, Putin tërhoqi një paralele me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Pas një vale protestash, presidenti pro-rus ukrainas Viktor Janukoviq u hoq nga pushteti në vitin 2014. Në të njëjtin vit, Rusia aneksoi Krimenë dhe filloi të mbështesë lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore, në Donbas.
Pasi separatistët pro-rusë morën kontrollin e Donbasit dhe shpallën pavarësinë në maj 2014, Moska zyrtare ka pohuar vazhdimisht se autoritetet ukrainase kanë keqtrajtuar popullsinë rusisht-folëse atje, megjithëse pretendime të tilla nuk janë mbështetur me prova. Përveç Rusisë, asnjë vend tjetër nuk e ka njohur pavarësinë e Donbasit.
Ndërkaq, Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008. Ky akt i shpalljes rezultoi të jetë ligjor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) duke vërtetuar se nuk ka shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare. Gjithashtu pavarësia u njoh nga mbi 100 shtete të botës.
Aneksimi i Krimesë dhe Kosova
Presidenti rus, Vladimir Putin, tërheq një paralele ndërmjet aneksimit të Krimesë dhe pavarësimit të Kosovës nga Serbia në kuadër të shpërbërjes së Jugosllavisë. Argumentet e Putinit të përsëritura gjatë aneksimit të Krimesë në vitin 2014, ndjekin këtë vijë: nëse ish-republikat jugosllave dhe ish-krahina serbe e Kosovës mund të pavarësoheshin me armë dhe luftëra perëndimore, pse jo gadishulli strategjik ukrainas që hapet në Detin e Zi si dhe provincat separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore – me ndihmën e Rusisë, të mos e bëjnë një gjë të tillë. Sipas tij, Perëndimi nuk dëshiron të njohë vullnetin e popullit në Krime, siç bën kur bëhet fjalë për Kosovën . (këtu, këtu)
Përkundër faktit që Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe që nga ajo kohë ka nisur mbështetjen për një lëvizje separatiste, Putin ka kërkuar që aneksimi i Krimesë të njihet si reflektim legjitim i zgjedhjes së banorëve lokalë. (këtu)
Ku janë dallimet në këtë krahasim?
NATO nuk e “pushtoi” Kosovën pasi i dëboi forcat serbe nga atje, por dërgoi një mision paqeruajtës. Trupat ruse, nga ana tjetër, kanë vendosur kontrollin mbi Krimenë, edhe para se të mbahej një referendum për bashkimin me Rusinë.
NATO ndërhyri në Kosovë pas dëshmive të krimeve serbe kundër shqiptarëve, të cilat përfshinin vrasje masive dhe dëbime nga vendbanimet e tyre. Forcat ruse kanë ndërhyrë në Ukrainë, megjithëse nuk janë raportuar abuzime apo dhunë kundër rusëve etnikë.
Kosova shpalli pavarësinë, por nuk iu bashkua Shqipërisë. Krimea, e cila është e banuar kryesisht nga qytetarë rusë, nënshkroi një marrëveshje për t’u bashkuar me Rusinë dy ditë pas një referendumi që Perëndimi e gjykoi si jodemokratik. (këtu)
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 (këtu). Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare (këtu). Pavarësia e Kosovës deri më tani është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë SHBA-në dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian (këtu).
Për më tepër, Krimea është pjesë integrale e shtetit të Ukrainës e cila është aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia në vitin 2014 (këtu). Referendumi në Krime, i mbajtur më 16 mars 2014, u refuzua në të njëjtin vit si i paligjshëm – me votat e 100 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (shih këtu).
Edhe pse krahasimi i Krimesë me Kosovën është i paqëndrueshëm, zyrtarët të lartë të Rusisë vazhdojnë ta përdorin këtë si alibi, duke filluar nga presidenti, Vladimir Putin, ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov etj. (shih këtu dhe këtu)
Masakrat në Bucha (Ukrainë) dhe Reçak (Kosovë), të inskenuara
Krahasime të paqëndrueshme janë bërë në rastin e barazimit të krimeve të agresionit rusë në qytetin ukrainas të Buchas dhe krimeve serbe në fshatin Reçak të Kosovës.
Masakra e mesit të janarit 1999 në Reçak, me të paktën 40 shqiptarë të vrarë, shërbeu si arsye që NATO të fillonte bombardimin kundër caqeve të forcave serbe. Që nga fillimi e deri më sot, Beogradi zyrtar pretendon se bëhej fjalë për një “inskenim”. Serbët pretendojnë se të vrarët ishin pjesëtarët e UÇK-së me rroba civile dhe jo civilë, dhe kështu u falsifikua një krim lufte për të bindur NATO-n që të bënte ndërhyrje.
Në mënyrë të ngjashme, në rastin e Bucha, Moska zyrtare pretendoi se kufomat në rrugë ishin “aranzhuar (përgatitur)” nga pala ukrainase.
Lavrov, në maj dhe korrik të vitit të kaluar (2022), pati deklaruar se masakrat ruse ndaj popullatës civile në qytetet ukrainase si Bucha, janë inskenim i pushtetit në Ukrainë dhe aleatëve të tyre perëndimorë. Ai ka shkuar më tej duke pretenduar se, inskenime të tilla nga perëndimorët janë bërë edhe vite më parë, duke e përmendur masakrën e Reçakut, në janar të vitit 1999. (këtu, këtu, këtu, këtu)
Në bazë të fakteve, në Bucha është kryer një masakër ndaj popullatës civile ukrainase nga ushtria ruse. (këtu)
Argumentimin e kryerjes së masakrës së Reçak-ut nga forcat serbe e kanë bërë shumë organizata botërore për të drejtat e njeriut, në mesin e tyre edhe kredibilija “Human Rights Watch” (HRW).
Transplantimi i organeve dhe “shtëpia e verdhë”
Një nga krahasimet tjera që bëhen nga zyrtarët dhe mediat ruse është edhe ndërlidhja e pretendimit të pabazë të transplantimit të organeve në Ukrainë me të ashtuquajturën “Shtëpi e verdhë” apo transplantimin e organeve në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë.
Në kuadër të kësaj ndërlidhjeje synohet që të argumentohet pa fakte mundësia e transplantit të organeve në Ukrainë, duke u bazuar në pretendimin tjetër të pabazuar që njihet si rasti i “Shtëpisë së Verdhë”: “Nëse ka qenë e mundur që në vitin 1999 të kryhen transplantime të organeve në kushte terreni të luftës, atëherë kjo është e mundur edhe në Ukrainë”.
Në prill të vitit të kaluar (2022), ishte zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, që e prodhoi këtë ndërlidhje. (këtu, këtu)
Zakharova në prill të këtij viti (2023) hodhi pretendimin e pabazuar për transplantim ilegal të organeve në Ukrainë, për ta krahasuar me një pretendim tjetër të ngjashëm, jo të konfirmuar, që ndërlidhet me skenarin e “Shtëpisë së Verdhë” gjatë luftës në Kosovë. Ajo pati thënë se “transplantimi i organeve në Ukrainë kërkon vëmendje” pasi që, siç shprehej, “operacione të tilla ‘në terren’ kryheshin edhe nga ‘transplantologë’ të paligjshëm në fund të viteve nëntëdhjetë në Shqipëri”. (këtu, këtu)
Në gusht të këtij viti (2023) Zakharova, në një shkrim autorial në gazetën ruse “Rossiyskaya Gazeta” ka pretenduar pa fakte se UÇK-ja është e përfshirë në, siç pretendon ajo, trafikimin e organeve në Ukrainë. Zaharova pretendon se Ukraina është bërë liderë në trafikimin e organeve dhe se, siç shprehej, ka informacione se edhe UÇK-ja është e përfshirë në të. (këtu, këtu, këtu)
Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Kremlini zyrtar është munduar të krijoj narrativa dezinformuese duke i ndërlidh me spekulimin e paargumentuar për ekzistimin e transplantimeve në Shqipëri (Shtëpia e verdhë) në kushte terreni gjatë luftës në Kosovë.
Kujtojmë se pikërisht “Gjykata Speciale në Hagë, e njohur edhe si “Dhomat e Specializuara” ishte krijuar me pretendimet e raportit të Dick Martyt për “Shtëpinë e Verdhë”. (këtu)
Megjithatë, këto pretendime nuk u vërtetuan asnjëherë, dhe në aktakuza nuk ka asnjë element të trafikimit të organeve. (këtu)
Shefi i Task Forcës Hetimore të EULEX-it, Clint Williamson kishte konfirmuar mungesën e provave, si dhe kishte thënë se nuk është vërtetuar asnjëherë një pretendim i tillë. (këtu)
Gjithashtu, vërtetësia e raportit të Dick Marty-t është duke u kontestuar edhe me një rezolutë të Partisë Socialiste të Shqipërisë të kryeministrit Edi Rama, në korrik të vitit 2022 (këtu).
Narrativi rus për organizimin e operacioneve për transplantim të organeve në Ukrainë vazhdon të publikohet. Ky pretendim është demantuar nga kontrolluesit e fakteve nga Evropa “EUvsDisinfomation” me argumentimin se transplantimi i organeve është një procedurë mjekësore komplekse dhe e kufizuar në kohë dhe është e pamundur të kryhet në kushte terreni. Akuzat për trafikimin e organeve gjatë aktiviteteve ushtarake në Ukrainë janë pjesë e mjeteve të dezinformimit të Kremlinit dhe kanë qenë në qarkullim që nga viti 2014. Në të kaluarën, akuzimi i të tjerëve për trafik organesh ka qenë një teknikë e përsëritur dezinformimi pro-Kremlinit.
Pjesëmarrja e kosovarëve dhe UÇK-së në luftën e Ukrainës
Zyrtarët dhe mediat ruse që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë kanë spekuluar për pjesëmarrjen e kosovarëve në luftën e Ukrainës, krah këtyre të fundit.
Këtë e kanë bërë zyrtarë të lartë rusë si, presidenti Putin, ministri i jashtëm Lavrov dhe zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova.
Lavrov, në shkurt të vitit të kaluar, ka pretenduar se Moska ka informacione se mercenarë nga Kosova si dhe nga Shqipëria e Bosnja e Hercegovina janë vendosur në rajonin e Donbasit në Ukrainë. Në anën tjetër, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, në një intervistë për “Euronews.al”, ka thënë se ka pasur interesim nga kosovarët për të udhëtuar drejt Ukrainës për të marrë pjesë në mbrojtën e këtij shteti, por nuk përmend ndonjë rast që ndonjë qytetarë kosovarë të ketë shkuar për t’iu bashkuar kësaj ushtrie, ashtu siç pretendon Lavrov. (këtu, këtu)
Ishte presidenti rus Putin i cili, në mars të vitit të kaluar (2022) deklaroi se mercenarë nga rajoni i Ballkanit, saktësisht nga Kroacia, Shqipëria e Kosova, po marrin pjesë në luftën në Ukrainë, në krahun e këtyre të fundit. (këtu, këtu)
Së fundmi (gusht 2023), edhe Zakharova pretendoi se UÇK është ende duke funksionuar, por me një emër tjetër, dhe mund të jetë e pranishme në Ukrainë, përmes një grupi mercenarësh. Sipas saj, UÇK mund të jetë e përfshirë edhe në trafikimin e organeve në Ukrainë. (këtu, këtu)
Pretendimet e zyrtarëve të lartë rusë për pjesëmarrjen e grupeve nga Kosova dhe mundësinë e prezencës së UÇK-së në Ukrainë nuk bazohet në fakte.
Për më tepër, këto pretendime janë demantuar nga zyrtarë shtetërorë të Kosovës. (këtu, këtu)