Portali informativ “GazetaBlic.com” ka publikuar sot (22 qershor) një artikull me titull “Vjen paralajmërimi: Ndërkombëtarët kanë përgatitur projekt-dokument ‘merre ose lëre’ me sanksione për palën që s’pranon!”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen.
Në përmbajtje bëhet e ditur se Vesel Makolli, sekretar i përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re (AKR) ka thënë se ka shumë mundësi që BE-ja dhe SHBA-të e kanë përgatitur projekt-dokumentin për deeskalimin e menjëhershëm të situatës në veri i cili, sipas tij, mund të jetë propozim “merre ose lëre” me sanskione për cilën nga palët që nuk e pranojnë.
Pra, në titull nuk sqarohet se kush e ka dhënë këtë deklaratë, duke lënë atë të kuptohet si paralajmërim zyrtar nga ana e ndërkombëtarëve.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “GazetaBlic.com”:
Deklarata e Makollit dhënë për portalin “GazetaBlic.com”:
“Ka mundësi që BE-ja dhe SHBA- të kenë përgatitur projekt dokument për deeskalimin e menjëhershem të situatës, lirimin e tre policeve tanë të kidnapur, për hapat e mëtejmë për organizimin e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të vendit dhe eventualisht edhe një draft statut për Asociacionin apo vetqeverisjen lokale, si është quajtur në dokument marrëveshjen e Ohrit. Krejt këto si propozim perfundimtar, “merre ose leje”, me pasoja apo sanksione për atë që nuk e pranon. Në këtë kontekst, pala kosovare duhet të jetë në nivel të bashkëpunimit dhe koordinimit me faktorin ndërkombetar, përndryshe Kosova dhe lidershipi i saj do të kenë pasoja të shumta”, tha Makolli për GazetaBlic.com.
Ky artikull me titull të njëjtë është publikuar më pas edhe nga portali tjetër informativ “Veriu.info. (shih këtu)
Artikullin e publikuar nga portali “GazetaBlic.com” e ka postuar në Facebook edhe vetë Makolli, duke i vënë mbishkrimin “Prononcimi im per situaten aktuale politike ne veri te vendit dhe per takimin e sotit ne Bruksel”. (shih këtu)
Analiza:
Duke u bazuar në verifikimin e fakteve, është vërtetuar se në titullin e këtij artikulli nuk sqarohet se nga kush është bërë kjo deklaratë, duke lënë të kuptohet atë si paralajmërim zyrtar nga ana e ndërkombëtareve.
Gjithashtu, në përmbajtje thuhet se, sipas sekretarit të përgjithshëm të AKR-së, Vesel Makolli, ka mundësi që BE-ja dhe SHBA-të të kenë përgatitur projekt-dokument për Kosovën dhe Serbinë “merre ose lëre” me sanksione për palën që s’pranon!.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk ka asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.