Faqja në Facebook me emrin “Specialja” ka publikuar të shtunën (11 mars) një artikull me titull “Furtunë dhe reshje dëbore, kjo do jetë dita më e vështirë e javës”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se lajmi është i vjetër, i datës 7 janar.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e njëjtë të publikuar në kohë reale (7 janar) në disa media online në gjuhën shqipe, që kishte të bëjë me parashikimin e motit në Shqipëri.
Faqja e lartcekur është munduar që këtë artikull të vjetër ta paraqesë si aktual.
Vegëza e artikullit të publikuar në Facebook nga faqja “Specialja.com”:
Artikulli i publikuar më 11 mars nga faqja “Specialja” në Facebook ka arritur t’i grumbullojë dhjetëra reagime. (shih fotografinë më poshtë)
Hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin e publikuar në kohë reale (7 janar 2023) në disa media online në gjuhën shqipe si “gazetadita.al” dhe “sot.com.al”.
Analiza:
Në bazë të hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, është vërtetuar se faqja “Specialja” në Facebook ka publikuar një artikull të vjetër të muajit janar lidhur me parashikimin e motit, të cilin është munduar ta paraqesë si aktual.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.