info@hibrid.info
Për 10 ditë, llogaria me përmbajtje të rreme merr mbi 1 milion shikime në TikTok
shape
shape
shape

Përgatiti: Fatbardh Dema

Mbi një milion shikime në TikTok i ka marrë llogaria me emrin “Focus Prishtina” në vetëm 10 ditë që nga publikimi i videos së parë.

“Info direkt nga jeta e perditshme ne Prishtine”, thuhet në përshkrim të llogarisë e cila deri kur po trajtohet nga hibrid.info, ka publikuar dhjetë video.

Përse po trajtohen përmbajtjet e kësaj llogarie?

Llogaria në fjalë nëpërmjet disa videove ka keqinformuar një numër të konsiderueshëm të njerëzve që përdorin median sociale TikTok. Kjo më së shumti vërehet nga komentet që kanë marrë përmbajtjet e publikuara. E pas verifikimit nga hibrid.info del se shumica e videove të publikuara nga kjo llogari, nuk bazohen në fakte.


Një përmbajtje të kësaj llogarie, hibrid.info e trajtoi javën e shkuar. U pretendua se është dëmtuar autobusi i kombëtares së Islandës në futboll nga disa tifozë shtetas të Kosovës, por se kjo nuk u gjet në asnjë raportim të bazuar. (shih këtu)

Llogaria ka publikuar edhe një tjetër përmbajtje të rreme lidhur me ndeshjen Kosovë-Islandë. Është pretenduar se “janë arrestuar disa tifozë islandezë pasi që tentuan ta godasin fizikisht Milot Rashicën”. Por as kjo nuk është gjetur në ndonjë burim kredibil e as në raportet policore.

Videoja e parë e publikuar nga llogaria “Focus Prishtina” ishte me mbishkrimin “aksident live në Prishtinë”, ndërsa pamjet nuk shfaqnin asnjë aksident. Komentet tregojnë se njerëzit e kanë shikuar videon dhe më pas kanë komentuar duke treguar se është përmbajtje e rreme.

Përmbajtje tjetër ka qenë pretendimi se në pamje paraqitet një “autobus me targa dhe flamur serb që bën xhiro nëpër Prishtinë”. Por pamjet e tregojnë një flamur me targa të Kosovës.

Publikimi më viral i llogarisë në fjalë ka qenë lajmi i rremë se kinse kryeministri Albin Kurti ka lajmëruar qytetarët e Prishtinës që nga ora 00:00 deri në 07:00 rrethi i madh në hyrje të Prishtinës do të jetë i paqarkullueshëm. “Arsyeja nuk dihet ende”, thuhet në përshkrim. Kjo përmbajtje, që nuk mund të gjendet në asnjë burim kredibil informacioni, ka marrë mbi 190 mijë shikime dhe i ka mbi 1180 pëlqime e 25 komente.

Përmbajtje të tjera virale nga llogaria “Focus Prishtina” janë ato me pretendime për mbyllje të bizneseve e vendime për rrëzime të disa objekteve. Për asnjërin nga këto, hibrid.info nuk ka gjetur njoftime zyrtare.


Në një rast, në një koment, llogaria “Focus Prishtina” ka miratuar një koment i cili i ishte drejtuar me fjalët se kjo është mënyrë e duhur për të shkuar viral, bazuar në përmbajtjet e rreme.


Raportet e fundit nga hibrid.info kanë treguar se platforma sociale, TikTok po bëhet kryesorja për përhapje të dezinformatave. Vitin e kaluar (2024) ka pasur trend rritës të publikimit të keqinformatave të hasura nga hibrid.info në këtë media sociale. (shih këtu dhe këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »