Faqja në Facebook “The Reis” ka publikuar dje (6 tetor) një postim duke pretenduar se “Turqia dërgon edhe 6 UCAV Bayraktar TB2 në Kosovë”.
Megjithatë, pas verifikimit të fakteve bazuar në hulumtimin e kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur një njoftim të tillë të publikuar në asnjë medium kredibil.
Përveç kësaj, as institucioni relevant si Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, nuk ka bërë ndonjë njoftim për ardhjen e këtyre dronëve nga Turqia, siç pretendohet nga faqja e lartcekur. (shih këtu)
Mbishkrimi origjinal në postimin e publikuar nga faqja “The Reis” në Facebook:
Turqia merr komandën e forcave të NATO-s në Kosovë
Turqia dërgon edhe 6 UCAV Bayraktar TB2 në Kosovë…
Falemnderit
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “The Reis”:

Me datë 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes llogarisë së tij zyrtare në Facebook kishte konfirmuar se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia, por pa e bërë të ditur se sa dronë janë blerë dhe sa ishte buxheti i ndarë për ta. (shih këtu)
Pra, përveç këtyre dronëve të blerë nga Turqia, nuk ka informacion zyrtar për ardhjen e dronëve të tjerë të këtij lloji nga shteti turk, siç pretendon rrejshëm faqja “The Reis” në Facebook.
Analiza:
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se faqja “The Reis” në Facebook ka pretenduar rrejshëm se Turqia i ka dërguar në Kosovë gjashtë dronë Bayraktar TB2.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.