info@hibrid.info
Pretendohet pa fakte për vjedhje të votave të serbëve
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Mediumi në gjuhën serbe Alo.rs ka publikuar një artikull me titull “Albanska krađa srpskih glasova: CIK u Prištini već 10 dana ne unosi rezultate izbora” (“Vjedhja shqiptare e votave serbe: KQZ në Prishtinë nuk i përfshin rezultatet e zgjedhjeve as pas 10 ditësh”), ku pretendohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë vonoi qëllimisht numërimin dhe publikimin e rezultateve të zgjedhjeve.

Sipas titullit të artikullit, edhe pas dhjetë ditësh nga mbajtja e votimeve, procesi ende nuk ka përfunduar, duke ngritur pretendime për përpjekje për të vjedhur votat e serbëve në Kosovë.

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se mediumi serb nuk ofron fakte lidhur me pretendimin për vjedhje të votave të subjekteve politike serbe, ndërsa KQZ-ja ka arsyetuar vonesën në numërimin e votave dhe ka siguruar se integriteti i votës nuk është i cenuar.

Pretendimet e mediumit serb dhe problemet e KQZ-së

Mediumi serb në titull, pretendon se KQZ në Prishtinë ka vonuar qëllimisht shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, duke akuzuar shqiptarët për vjedhje të votave të serbëve, por pa ofruar asnjë fakt për ta mbështetur këtë pretendim.

Natën kur vëmendja ishte te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, platforma online e këtij institucioni doli nga sistemi për orë të tëra, duke shkaktuar konfuzion te publiku që priste publikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, edhe pse zyrtarët e KQZ-së siguruan se mbledhja manuale e të dhënave nuk do të kishte ndikim në rezultat (këtu). Por, edhe në ditët në vazhdim pati ndërprerje të kohëpaskohshme.

KQZ-ja ka arsyetuar vonesën në numërimin e votave duke theksuar se procesi i ri i numërimit, i përcaktuar nga Ligji i ri për zgjedhjet, është kompleks dhe po zbatohet për herë të parë nga ky institucion. (këtu)

KQZ-ja i hodhi poshtë këto dyshime nëpërmjet një reagimi të mërkurën, duke thënë se “integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre”. (këtu)

Përkundër problemeve të hasura në KQZ për numërimin e votave, është siguruar se vota e qytetarit dhe vullneti i tij do të ruhen, duke demantuar pretendimet e mediumit serb për vjedhje të votës.


Analiza:

Mediumi serb pretendon se KQZ në Prishtinë ka vonuar qëllimisht shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, duke akuzuar shqiptarët për vjedhje të votave të serbëve, por pa ofruar asnjë fakt për ta mbështetur këtë pretendim.

KQZ-ja ka arsyetuar vonesën në numërimin e votave duke theksuar se procesi i ri i numërimit është kompleks dhe se integriteti i votës nuk është i cenuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »