Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, me 31 janar ka lëshuar një komunikatë, përmes së cilës pretendohet që flamuri UÇK-së, i vendosur në fshatin Hoçë e Madhe, komuna e Rahovecit, të banuar me serbë, ka për qëllim friksimin e serbëve lokalë.
Ky pretendim i ngritur nga ky institucion serb është publikuar në ueb-faqen e tyre me titull – “Frikësim i ri i serbëve: Në Hoçë të Madhe është varur flamuri i UÇK-së terroriste”.
Kjo zyre është bazuar në një fotografi ku shihet një flamur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke shtuar se “Në mëngjesin e sotëm në hyrje të Hoçës së Madhe është vërejtur një flamur me stemën dhe mbishkrimin e organizatës terroriste të UÇK-së”.
Duke u bazuar vetëm në këtë fotografi, kjo zyre ka ngritur një teori se kërcënimi për serbët që kanë mbetur për të jetuar në këtë fshatë, sipas asaj që thuhet në komunikatë, ky veprim ka për qëllim të prishin qetësinë e serbëve lokalë dhe të dekurajohet, siç thuhet, një vendim i tyre për të qëndruar dhe mbijetuar në vatrat e tyre shekullore.
Pjesë të komunikatës së Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë të përkthyera në shqip:
Në mëngjesin e sotëm në hyrje të Hoçës së Madhe është vërejtur një flamur me stemën dhe mbishkrimin e organizatës terroriste të UÇK-së. Banorët e kësaj enklavë serbe në Metohi janë shqetësuar veçanërisht nga fakti se flamuri ishte varur në gardhin nën kishën e Shën Gjon Pagëzorit, në pronën e së cilës ndodhet monumenti i serbëve të vrarë dhe të rrëmbyer. Vetë ky monument ka qenë shpesh cak i sulmeve të ekstremistëve shqiptarë.
Nuk ka dyshim se kërcënimi për serbët që kanë mbetur për të jetuar këtu është hapur të mërkurën dhe se qëllimi është të prishin qetësinë e tyre dhe t’i dekurajojnë ata në vendimin e tyre për të qëndruar dhe mbijetuar në vatrat e tyre shekullore.
Është indikative se një incident i tillë vjen në ditën kur në Kosovë e Metohi mbërrijnë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që haptazi flet në favor të faktit se shumë shqiptarëve nuk i intereson marrëveshja apo jeta e përbashkët me serbët. Ekstremistët shqiptarë po rrezikojnë sigurinë dhe po i frikësojnë serbët me qëllim të dëbimit të tyre nga Kosova dhe Metohia.
Vegëza e komunikatës së bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:
http://www.kim.gov.rs/v4637.php
Kjo komunikatë e kësaj zyre është publikuar edhe në disa media në gjuhën serbe nga Serbia e Kosova. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka publikuar një fotografi ku shihet një flamur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i vendosur në gardhin nën kishën e Shën Gjon Pagëzorit në Hoçë të Madhe, e cila është e banuar me popullatë serbe.
Duke u bazuar vetëm në këtë fotografi, kjo zyre ka krijuar një teori të pa bazuar në asnjë fakt se ekstremistët shqiptarë po rrezikojnë sigurinë dhe po i frikësojnë serbët me qëllim të dëbimit të tyre nga Kosova dhe Metohia.
Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, dhe në bazë të metodologjisë së punës e ka vlerësuar si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.