Portali “02press.com” ka publikuar dje (7 tetor) një artikull lidhur me çmimorën e parkingut nëntokësor në Prishtinë.
Ky portal në titull ka pretenduar se çmimi brenda ditës do të jetë 12 euro, ndërsa për gjithë ditën (24 orë) do të kushtojë 24 euro.
Pas verifikimit të fakteve, të kryer nga hibrid.info, referuar artikullit autentik të publikuar në mediumin online “Koha.net”, është vërtetuar se ky pretendim është i pasaktë.
Në artikullin e publikuar nga “Koha.net”, e ilustruar me fotografinë e çmimores së parkingut e siguruar nga ky medium, thuhet se “Një orë qëndrimi në këtë parking është 1 euro, përderisa pas orës së katër të qëndrimit çmimi do të jetë 80 centë”.
Në çmimoren e publikuar nga “Koha.net” bëhet e ditur se për 12 orë parking, qytetarët duhet të paguajnë 10.40 euro, ndërsa për 24 orë çmimi është 15 euro.
Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “02press.com”:
Çmime të “frikshme” në parkingun e ri nëntokësor: 12 euro brenda ditës, 24 euro dita
Një orë qëndrimi në këtë parking është 1 euro, përderisa pas orës së katër të qëndrimit çmimi do të jetë 80 centë.
Qëndrimi nga 12 deri në 24 orë është 15 euro, abonimi javor 90 euro, mujor 250 euro, për 6 muaj- 1mijë e 350 euro dhe abonimi vjetor- 2 mijë e 500 euro.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “02press.com”:
Hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në mediumin online “Koha.net”, në të cilin qartësohet se për një ditë çmimi për parking do të kushtojë 15 euro. (shih këtu)
Analiza:
Portali “02press.com” ka publikuar gabimisht çmimoren për parkingun nëntokësorë në Prishtinë, duke pretenduar se për një ditë, qytetarët duhet të paguajnë 24 euro, ndërsa brenda ditës çmimi është 12 euro.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim është i gabuar dhe se çmimi real do të jetë 15 euro gjatë gjithë ditës, ndërsa brenda ditës 10.40 euro.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Gabim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Gabim” e marrin raportet në media në të cilat redaksia e mediave bënë një gabim duke publikuar informacion të pasaktë ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara nga një burim tjetër, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.