info@hibrid.info
Rikthehet deepfake që e paraqet Elon Musk duke folur shqip
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok është pretenduar se njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka folur në gjuhën shqipe e se ka treguar që ka origjinë shqiptare.

Videoja e publikuar nga llogaria “albania_191919” më 13 nëntor përmban edhe një fotografi të tij bashkë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. “Trump krijon Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë, në krye të tij Elon Musk” është mbishkrimi mbi fotografi.

Ndërsa në materialin e plotë janë edhe mbishkrimet “Per here te pare! Flet Shqip ne publik” dhe “Elon Musk me origjin Shqipëtare ne Qeverin Trump”.

Çka nuk shkon me materialin?

Hibrid.info e ka trajtuar edhe në të kaluarën materialin e njëjtë në të cilin dëgjohet Musk duke folur në gjuhën shqipe. Përmes aplikacioneve për ndërhyrje në video-përmbajtje, ishte vërejtur se materiali është manipuluar.


Përmes programit të automatizuar online “InVID”, hibrid.info ka gjetur video-materialin e publikuar në tetor të vitit 2022 nga një kanal në Youtube, në të cilën qartësohet se është një video (deepfake) e bërë si “test me software”. Kanali në Youtube me emër “Elementi Shqip” në publikimin e këtij materiali, përveç që tregon se është një krijim “deepfake”, edhe bën thirrje që kjo video “të mos merret seriozisht”. (shih këtu)

Deepfake është term që përshkruan materialet – audio, foto dhe video – të krijuara duke e përdorur inteligjencën artificiale  (lexo më shumë për deepfake).


Publikimi i bërë një ditë më parë, deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info ka marrë mbi 380 mijë shikime. Publikimi deri tash ka marrë mbi 11 mijë pëlqime e gati 450 komente. Ndër to shihen komente që e kanë marrë si të mirëqenë përmbajtjen e publikimit.


Publikimi u bë në ditën kur Trump, si president i zgjedhur në SHBA, njoftoi se përkrahësin e tij Elon Musk do ta caktojë për të bashkëudhëhequr Departamentin e Efiçiencës Qeveritare (detaje).

E fotografia e përdorur nën videon në të cilën pretendohet se Musk po flet në gjuhën shqipe, është marrë nga faqja “Alfapress.al” në Facebook.


Zhvillimet e fundit dhe kush është Elon Musk?

Sipas revistës prestigjioze “Forbes”, Elon Musk është njeriu më i pasur në botë me mbi 300 miliardë dollarë pasuri. Në profilin për Musk, në këtë revistë theksohet se ai i ka themeluar shtatë kompani, përfshirë prodhuesin e njohur të veturave elektrike “Tesla”, prodhuesin e pajisjeve për transport hapësinor “Space X” dhe së fundmi kompaninë për inteligjencë artificiale “xAI”.

Ndërkaq në “wikipedia”, për Elon Musk thuhet se ai u lind më 1971 në Pretoria të Afrikës së Jugut dhe se ka shkuar në Kanada në moshën 18-vjeçare, duke marrë nënshtetësinë përmes nënës së tij të lindur atje. Nëna e tij, Maye, është modele nga Kanadaja, e rritur në Afrikë të Jugut. Ndërsa babai Errol Musk është inxhinier afrikano-jugor.

Një ditë më parë, presidenti i zgjedhur Trump njoftoi se Musk do ta bashkë-udhëheqë me ish-kandidatin republikan për president, Vivek Ramaswamy, Departamentin e sapokrijuar për Efiçiencë Qeveritare. Roli i këtij departamenti do të jetë që të krijohet qeveri më efikase. Musk në fushatën presidenciale për zgjedhjet e 5 nëntorit e ka përkrahur publikisht Trumpin duke ofruar miliona dollarë në mbështetje të tash presidentit të zgjedhur.


Analiza:

Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar se miliarderi Elon Musk – që së fundmi u zgjodh nga presidenti i ri amerikan Donald Trump për ta udhëhequr një departament të ri në SHBA – është me prejardhje shqiptare dhe flet shqip.

Hibrid.info e pati verifikuar përmbajtjen e njëjtë edhe në të kaluarën. Videoja që u pretendua si reale, është e krijuar përmes inteligjencës artificiale, përmes aplikacioneve për ndërhyrje në video-përmbajtje. Madje materiali gjendet në YouTube që nga viti 2022. Në videon që është në YouTube, tregohet se është krijim “deepfake” dhe bën thirrje që materiali të mos merret seriozisht.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë video-material si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »