[email protected]
Rishikimi i javës: Lajme të rreme me sondazhe zgjedhore, dezinformatë në media sociale për vendimin e lejimit të mallrave serbe
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë javës që shkoi dezinformatat dhe lajmet e rreme janë dy kategoritë që e dominuan ekosferën keqinformuese.

Dezinformatat u publikuan në media sociale (TikTok dhe X). Në Tiktok u publikua një pretendim për një takim të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe gazetarit Baton Haxhiu, i cili rezultoi të jetë i vjetër (2020). Po ashtu u pretendua se Kurti pasi vendosi të heqë masën e sigurisë ndaj mallrave serbe, kamionë të shumtë po presin të hyjnë në Kosovë nga Serbia. Në platformën X u publikua video-material ku shihen momente incidentesh të personave të veshur me uniforma policore, për të cilët aludohet se janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Lajmet e rreme u publikuan në media sociale, konkretisht në TikTok. Këto keqinformata ndërlidheshin me sondazhe zgjedhore përfshi këtu pretendime për rezultate të ndryshme në përqindje si sondazhe parashikuese ndërlidhur me zgjedhjet e 9 shkurtit. Po ashtu, në Tiktok është publikuar një përmbajtje me pretendimin se Donald Trump, kandidati për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka kërcënuar duke thënë se “Albin Kurti, kryeministri i  Kosovës, do të jetë pjesë e listës së zezë së SHBA-së”.

Dezinformtë/Clickbait janë vlerësuar pretendimet e publikuara në media sociale dhe portale të dyshimta. Në media sociale u publikua pretendimi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për rritje të pagave, e që në fakt bëhej fjalë për rritje pensionesh. Po ashtu u pretendua se “shiu i fortë dhe stuhitë përmbytin këto qytete në vendin tonë”, e që doli të jetë vetëm një paralajmërim. Nëpërmjet titullit të një videoje të publikuar në YouTube, është pretenduar se Turqia i ka thënë Serbisë se nuk do t’i armatosë armiqtë e Kosovës, e që në fakt nuk kishte deklaratë të tillë nga Turqia.

Si “mashtrim” janë vlerësuar disa përmbajtje të publikuara në Facebook, ku paraqiten pretendime me oferta për vetura e biçikleta elektrike në shitje në shitje, të cilat ofrohen me zbritje.

Manipulim i fakteve janë vlerësuar përmbajtjet si, pretendimi i publikuar në Telegram në gjuhën serbe, se Interex-i në Mitrovicë, i mbush raftet me produkte me afat të skaduar; nëpërmjet një imazhi të publikuar në Tiktok është pretenduar për publikimin e një sondazhi lidhur me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt 2025.

Gabim është vlerësuar raportimi për ushtrimin e KFOR-it nga ushtria amerikane e që u pretendua gabimisht se bëhet fjalë për FSK-në.

Dezinformatë

Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar për një takim të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe gazetarit Baton Haxhiu. Sipas mbishkrimit të vendosur në fotografinë e publikuar, pretendimi është se Abdixhiku e Haxhiu janë takuar “me qëllim të koordinimit në procesin zgjedhor për ta mposhtur Albin Kurtin”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se fotografia është e vjetër. Për të janë gjetur raportime nga data 8 dhjetor 2020. (këtu)

Janë publikuar dy video-materiale përmes së cilave pretendohet se shfaqen pamje të forcave të mbrojtjes së rendit dhe ligjit në Kosovë. Në pamjet e publikuara nga një llogari me emrin “VukFeNix” në rrjetin social “X” (ish-Twitter), shihen momente incidentesh të personave të veshur me uniforma policore, për të cilët aludohet se janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjetjet e hibrid.info tregojnë se në fakt, në pamje shfaqen ngjarje të ndodhura me pjesëtarë të policëve që nuk janë nga Kosova. (këtu)

Qeveria e Kosovës, të hënën (7 tetor) vendosi të heqë masën e sigurisë ndaj mallrave serbe, duke lejuar hyrjen e tyre fillimisht vetëm përmes pikës doganore në Merdarë. E pas këtij vendimi, në rrjetet sociale po pretendohet se kamionë të shumtë po presin të hyjnë në Kosovë nga Serbia. Një pretendim i tillë në formë postimi u bë (9 tetor) nga llogaria “tavnikcitypdk” në TikTok. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se fotografia nuk paraqet kamionët nga Serbia në pritje për të hyrë në Kosovë, por e njëjta foto qarkullon në internet që nga viti 2008 dhe është realizuar në Gjermani. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

U publikua një video-material me pretendimin se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për rritje të pagave. “LAJM I MADH, Albin Kurti i rrit pagat në Kosovë”, mban titullin dhe mbishkrimin video-materiali i publikuar në TikTok nga llogaria “sjekacaniklinese”. Pas klikimit në video-material, shfaqet Kurti gjatë një konference për media. Në këtë konferencë, kryeministri e njoftoi opinionin mbi vendimin për rritjen e pensioneve. Pra, titulli dhe përmbajtja nuk përkojnë me njëra-tjetrën. (këtu)

“Shiu i fortë dhe stuhitë përmbytin këto qytete në vendin tone”, mban titullin një artikull. Ky artikull u publikua më 9 tetor nga portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “atdheulajm.com”. Pas klikimit në artikull, vërehet se titulli nuk i përgjigjet artikullit. Në artikull gjendet paralajmërimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Shqipëri, të cilat u kanë bërë thirrje qytetarëve të cilët jetojnë në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës që të tregojnë kujdes pasi gjatë tre ditëve të ardhshme priten reshje të dendura shiu dhe shtrëngata. Pra, nuk është e vërtetë që këto qytete janë përmbysur nga shiu i fortë, siç pretendohet përmes titullit. (këtu)

Nëpërmjet titullit të një videoje të publikuar në YouTube, është pretenduar se Turqia i ka thënë Serbisë se nuk do t’i armatosë armiqtë e Kosovës. “Turqia godet Serbinë : Nuk armatosim armiqtë e Kosovës”, mban titullin videoja e publikuar në kanalin e “Euronews Albania” në YouTube më 10 tetor, në ditën kur presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan vizitoi Shqipërinë. Turqia nuk ka dhënë deklaratë të tillë. Një gjë e tillë nuk thuhet as në videon në fjalë. (këtu)

Mashtrim

Janë publikuar disa përmbajtje, ku paraqiten pretendime me oferta për vetura në shitje, të cilat ofrohen me zbritje, për të interesuarit. Këto pretendime janë publikuar me anë të tre përmbajtjeve të sponsorizuara në Facebook, nga faqet: “Market Mix” (12 shtator), “It’s a Deal” (14 shtator) dhe “A new beginning” (15 shtator). Hibrid.info ka gjetur se nuk dihen cila biznese ofrojnë ofertën e paraqitur, ndërsa faqet të cilat kanë publikuar këto përmbajtje janë të dyshimta. (këtu)

Publikohen disa përmbajtje, me anë të cilave paraqiten pretendime, me oferta për biçikleta elektrike në shitje, të cilat ofrohen me zbritje, për të interesuarit. Përmbajtjet janë publikuar të sponsorizuar, si imazhe në Facebook, nga faqet “A new beginning” (3 shtator) dhe “DealDiscover Corner” (5 shtator). Hibrid.info ka gjetur se nuk dihen cila biznese ofrojnë ofertën e paraqitur dhe se faqet të cilat kanë publikuar këto përmbajtje janë të dyshimta. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një postimi u pretendua se Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur të angazhojë grupe hakerësh nga Maqedonia e Veriut dhe Hungaria për të prodhuar propagandë kundër opozitës në Kosovë dhe kundër Amerikës. Ky pretendim në formë postimi u publikua në TikTok nga llogaria “bennymcbogi” me datë 7 tetor, të cilës i është bashkëngjitur edhe një fotografi. Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar nga anjë medium kredibil, ndërsa fotografia është marrë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur me 5 tetor. (këtu)

Manipulim i fakteve

“Ajo që po ndodh me Interex-in në Mitrovicë, i mbush raftet me produkte me afat të skaduar”, thuhet në postimin e publikuar (9 tetor) nga llogaria në gjuhën serbe në Telegram “БУНКЕР” (BUNKER). Në këtë postim pretendohet se marketi Interex në Shipol, fshat që gjendet në komunën e Mitrovicës në jug, shet mallra të skaduara. Këtij publikimi i është vënë edhe një fotografi në të cilën shihen produkte me datë të skadimit 14.07.2022. Në një postim tjetër, të bërë disa minuta para pretendimit të mësipërm, kjo llogari shkroi po ashtu, “Terroristi shiptar Kurti sapo ka ardhur në Leposaviq për të hapur tregun shiptar të mbeturinave “Interex””. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo fotografi është e vjetër dhe nuk është shkrepur (9 tetor) në ditën e hapjes së marketit Interex në Leposaviq, siç pretendohet nga llogaria në gjuhën serbe. (këtu)

Nëpërmjet një imazhi është pretenduar për publikimin e një sondazhi lidhur me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt 2025. “Sondazhi i fundit tregon kët rezultat shkatërrues për opozitën Albin Kurti 71%” është mbishkrimi i vendosur nga llogaria “kosova.shqiptarve” në TikTok mbi fotografinë në të cilën paraqiten shifrat e pretenduara për secilën parti. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se pretendimi se bëhet fjalë për sondazh është i rremë. Fotografia paraqet parashikimin që e ka bërë analisti politik Ibrahim Delija në emisionin televiziv “Debat Plus” të televizionit “Dukagjini” më 16 shtator, si parashikim për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. (këtu)

Gabim

Është publikuar një artikull në disa media me titullin “Misioni i NATO-s ndan pamje të ushtarëve amerikanë teksa ushtronin pjesëtarët e FSK-së”. Lajmin më këtë titull e kanë publikuar mediat me përmbajtje në gjuhën shqipe “GazetaExpress.com”, “Sinjali.com” dhe “KosovaPost.net”. Hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për ushtarë amerikanë në Misionin e NATO-s, duke kryer ushtrime stërvitore për KFOR-in. (këtu)

Lajm i rremë

67.2% është përqindja që është pretenduar se partia politike Lëvizja Vetëvendosje e ka marrë në sondazhet e fundit, në prag të zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025. Pretendimi u bë nga llogaria “fakte_interesante_ks” në TikTok më 26 shtator. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Hibrid.info ka verifikuar në makinën online të kërkimit “Google” me fjalët kyç “Vetëvendosje, 67.2”, “LVV 67.2%” dhe “Sondazhi i fundit në Kosovë”. Asnjëri nga këto kërkime nuk shfaqi rezultate të bazuara në mediume kredibile a organizata që merren me sondazhe. (këtu)

Është publikuar një imazh, me mbishkrimin që pretendon se Donald Trump, kandidati për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka kërcënuar se Albin Kurti, kryeministri i  Kosovës, do të jetë pjesë e listës së zezë së SHBA-së. Kjo përmbajtje është publikuar (10 tetor) në TikTok nga një llogari me emrin “pograddeccii”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka deklarim publik të ish-presidentit Trump, apo të zyrtarëve politikë të afërt me të, ku është paralajmëruar se kryeministri Kurti do të jetë pjesë e listës së zezë të SHBA-së. (këtu)

Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar për sondazh të kryer lidhur me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. “Sondazhi i fundit. Lvv 86%, Ldk 7%, Pdk 6%, Psd 1%. Ramushi se kalon pragun, shkaku i deklaratave ti tij kunder Albin Kurtit,” shkruhet në publikimin e llogarisë “albin_kurti2” në TikTok. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Hibrid.info ka verifikuar në makinën online të kërkimit “Google” me fjalët kyç “Lvv 86%”, dhe “Sondazhi i fundit në Kosovë”. Asnjëri nga këto kërkime nuk shfaqi rezultate të bazuara në mediume kredibile a organizata që merren me sondazhe. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »