[email protected]
Videot me incidente policore nuk paraqesin Policinë e Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Janë publikuar dy video-materiale përmes së cilave pretendohet se shfaqen pamje të forcave të mbrojtjes së rendit dhe ligjit në Kosovë.

Në pamjet e publikuara nga një llogari me emrin “VukFeNix” në rrjetin social “X” (ish-Twitter), shihen momente incidentesh të personave të veshur me uniforma policore, për të cilët aludohet se janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Çka gjeti hibrid.info?

Gjetjet e hibrid.info tregojnë se në fakt, në pamje shfaqen ngjarje të ndodhura me pjesëtarë të policëve që nuk janë nga Kosova.

Derisa në njërën video shihet një oficer policie teksa qëllon aksidentalisht me armë dorën e tij, pamja e dytë tregon momentin e rrëzimit të një pjesëtari policie, teksa hyn në makinë policore nga pjesa e mbrapme.

Videoja e parë është gjetur, me anë të programit të automatizuar të kërkimit “InVid”, e publikuar me përshkrimin që tregon se bëhet fjalë për një oficer policie nga India, i cili vërtet aksidentalisht qëllon dorën e tij me armë (shih këtu).

Ndërsa videoja tjetër është gjetur e publikuar në vitin 2023, në një ueb-faqe me përmbajtje në gjuhën kineze, për të cilët nuk mund të konfirmohet se janë pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ashtu siç pretendohet (shih këtu). Në fakt, në automjetin i cili shihet në video, në pjesën anësore ka mbishkrimin SWAT, akronim për Special Weapons And Tactics (Armë Speciale dhe Taktika), që është njësi speciale e policisë amerikane. Njësi të ngjashme ka edhe nëpër vende tjera në botë, si Austri, Brazil, Kanada, Indi, e të tjera (lista e plotë e ekipeve SWAT).

Analiza:

Pretendimet se bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, në dy momente aksidentale të shfaqura me anë të videove, janë të pasakta.

Hibrid.info ka gjetur se njëra ngjarje ka ndodhur në Indi, ndërsa tjetra nuk konfirmohet se ndodhi në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »