Disa faqe në Facebook që publikojnë artikuj dhe postime me përmbajtje në gjuhën shqipe, me datë 13 qershor kanë postuar një fotografi ku shihet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke shtrënguar duart me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me mbishkrimin “Serbia falënderon nga zemra Shqipërinë për qëndrimin e saj ndaj Kurtit”.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale, hibrid.info nuk ka gjetur një deklaratë të tillë të bërë nga shteti serb apo presidenti i saj, Vuçiq.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqet “Gazeta Ditore”, “Portali Alt” dhe “Krejt Shqiptare”:

Një deklaratë e tillë, përpos që nuk është gjetur e publikuar në asnjë medium, gjithashtu nuk figuron as në llogaritë zyrtare në Twitter të qeverisë së Serbisë apo presidentit të saj. (shih këtu dhe këtu)
I vetmi reagim i Vuçiqit ndaj Ramës gjatë ditëve të fundit është lidhur me draft statutin e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, për të cilin presidenti i Serbisë është shprehur se e respekton kryeministrin Rama, por që sipas tij ai nuk është i autorizuar të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se faqet e lartcekura në Facebook kanë publikuar një deklaratë të rreme me pretendimin se “Serbia falënderon nga zemra Shqipërinë për qëndrimin e saj ndaj Kurtit”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë publikim nga faqet në Facebook si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.