TikTok është shfaqur si një nga platformat kryesore për videot e rreme rreth luftës në Ukrainë, të cilat po arrijnë miliona shikime.
Me një bazë përdoruesish prej më shumë se një miliard njerëz – më shumë se gjysma e të cilëve janë nën 30 vjeç – TikTok është vendi ku shumë të rinj kanë marrë përditësime të informimit rreth konfliktit, ndërsa platforma përpiqet të frenojë rrjedhën e informacionit mashtrues.
Dhe nuk keni nevojë të kërkoni aq shumë për të gjetur përmbajtje të dyshimtë. Sipas një hetimi nga NewsGuard (këtu), një faqe interneti që monitoron dezinformatat në internet, përdoruesve të rinj mund t’u rekomandohet përmbajtje false në lidhje me Ukrainën brenda 40 minutave nga fillimi i gjurmimit në këtë rrjet.
Ndërsa platforma të tilla si Facebook, Instagram dhe Twitter kanë etiketuar video të rreme ose mashtruese virale rreth luftës, TikTok duket se po luan catch-up.
Kompania këmbëngul se ka rritur përpjekjet e saj për të luftuar dezinformimin.
Këtu janë disa nga kategoritë më të zakonshme të përmbajtjes mashtruese që BBC ka identifikuar në platformë.
Transmetimet e drejtpërdrejta të rreme
Që në ditët e para të luftës, transmetimet e drejtpërdrejta të rreme kanë tërhequr disa nga rekordet me numër më të lartë të shikimeve në TikTok.
Receta është e thjeshtë: një përdorues gjen një video dramatike të një konflikti të vjetër ose ndonjë stërvitje ushtarake, dublon audio të rreme të një shpërthimi të madh ose një shkëmbim zjarri intensiv, fillon një transmetim të drejtpërdrejtë dhe sapo një audiencë e konsiderueshme të sintonizohet, kërkon donacione për kanalin e tyre.
Një llogari e tillë kishte tërhequr afro 30 milionë shikime deri në mes të marsit. Të gjitha, përveç tre transmetimeve të drejtpërdrejta të llogarisë deri në atë moment, ishin klipe të shkurtra të marra nga një video në YouTube e stërvitjes së vjetër ushtarake ukrainase, që daton nga viti 2017.

Në një moment, një pjesë e rreme në formatin audio, me të shtëna me armë, u bë aq e popullarizuar sa u shfaq në më shumë se 13,000 video (këtu).
Përdoruesit mund të reagojnë ndaj transmetimeve të drejtpërdrejta duke dërguar pikë të llogarisë që mund të konvertohen në para.
“Duket sikur shumë nga transmetimet e drejtpërdrejta të frikshme janë krijuar me shpresën për të fituar para nëpërmjet sistemit të dhuratave të TikTok”, thotë Abbie Richards, një studiuese e pavarur që krijon video me fokus në rreziqet e keqinformimit.
Shumica e transmetimeve të drejtpërdrejta të rreme mund të gjenden lehtësisht nën thurjet (hashtag) të njohur si #Ukraine ose #UkraineWar.
Video lojëra
Pamjet dramatike të video lojërave ushtarake ose imazheve të krijuara nga kompjuteri “computer-generated imagery” (CGI) janë përdorur rregullisht si zëvendësim për videot e vërteta të luftës.
Skenat nga videolojërat si “Arma 3” dhe “Call of Duty” kanë vërshuar TikTok-un. Betejat e rreme ajrore, duke përfshirë pamjet që shfaqin rrëzimin e avionëve luftarakë, kanë rezultuar veçanërisht të njohura.
Disa llogari përpiqen ta bëjnë veprimin më realist dhe përdorin klipe nga filma lufte, seriale televizive ose lojëra të jetës reale.

“Përmbajtja synohet të përzihet me të gjitha informacionet e tjera të disponueshme për këtë temë”, thotë Richards.
Video tjera të falsifikuara, që pretendohet rrejshëm se janë marr nga ngjarjet e luftës, janë video përmbajtje të vjetra, nga ngjarje të më hershme. Krijuesit synojnë që, përmes ndryshimeve, editimeve dhe dublimeve, t’i paraqesin ato si aktuale nga rajonet e luftës në Ukrainë.
(Artikulli i plotë i publikuar nga BBC, i disponueshëm në gjuhën angleze)